E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Trump lehtësoi sanksionet për naftën dizel ruse, Gjermania nuk do ta ndjekë

10.10.2026, 16:02

Gjermania nuk do t'i ndjekë SHBA-të në lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve për naftën dizel ruse, njoftoi qeveria e kancelarit, Friedrich Merz. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, deklaroi se Berlini ka marrë në konsideratë vendimin amerikan, por mbetet në qëndrimin e vet.

"Qeveria federale mbetet në vendimin për sanksionet kundër Rusisë dhe punon me partnerët evropianë për sanksione shtesë", tha Kornelius.

Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten njoftoi se pas bisedës me presidentin rus Vladimir Putin është arritur marrëveshje për furnizimin me sasi të mëdha të naftës dizel ruse në tregun amerikan dhe atë botëror.

Sipas Trump, Rusia do të dorëzojë menjëherë më shumë se 300,000 ton naftë dizel, 500,000 ton shtesë në nëntor dhe një milion ton më pas.

Departamenti amerikan i Thesarit ka lëshuar një leje të përkohshme për tregtinë me naftën dizel ruse deri më 7 prill 2027. Bëhet fjalë për një përjashtim të kufizuar kohor, jo për heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Rusisë.

Kjo lëvizje vjen pas rritjes së fortë të çmimeve të naftës dizel në SHBA, disa javë para zgjedhjeve për Kongresin më 3 nëntor. Trump e paraqiti marrëveshjen si një masë për uljen e çmimeve të karburantit.

Kornelius theksoi se mbështetja gjermane për Ukrainën mbetet e pandryshuar.

Lajme të ngjashme