(Video) Gaz lotsjellës dhe topa uji në protestat në Francë, gjashtë të arrestuar në Nantes

Protestat në Francë u përhapën në disa qytete, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë demonstruesit. Në Nantes u arrestuan gjashtë persona pas raportimeve për vandalizëm dhe grabitje, ndërsa në Bordeaux disa nga demonstruesit hodhën sende ndaj policëve dhe ngritën barrikada.
Prefektura e rajonit Pays de la Loire dhe departamenti Loire-Atlantique më parë iu rekomanduan fuqishëm qytetarëve të shmangin qendrën e Nantes për shkak të "tubimeve të papritura".
Në Lyon policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit, ndërsa pamjet nga Marseille tregojnë gjithashtu përdorimin e gazit lotsjellës kundër pjesëmarrësve në protesta. Sipas një demonstruesi në Lyon, në tubim kishte rreth 150 persona, kryesisht nxënës të shkollave të mesme dhe studentë, dhe policia filloi pothuajse menjëherë të përdorte gaz lotsjellës.
Gazeta franceze "Le Parisien" raportoi se policia përdori edhe topa uji, ndërsa raporte për përdorim të gazit lotsjellës erdhën edhe nga Nice. Sipas televizionit "France 3", gaz lotsjellës u përdor edhe kundër disa qindra demonstruesve në Clermont-Ferrand.
Në Bordeaux, në jug të Francës, policia njoftoi se disa nga demonstruesit hodhën sende ndaj forcave të sigurisë dhe ngritën barrikada në sheshin Place de la Bourse. Qytetarët u ftuan të shmangin atë pjesë të qytetit.
Pamjet e publikuara nga prefektura tregojnë persona të veshur me rroba të errëta, me fytyra të mbuluara, duke hequr dërrasa nga një ndërtesë dhe duke i vendosur përgjatë rrugës për të krijuar një barrikadë.
Demonstruesit kërkojnë që Macron t’i dëgjojë
Në qendër të Parisit, demonstruesit thanë se protestat do të vazhdojnë derisa presidenti francez Emmanuel Macron të dëgjojë kërkesat e tyre.
Zelie, një pjesëmarrëse 26-vjeçare në protesta, tha për BBC se qytetarët dolën në rrugë sepse janë "shumë të frustruar" dhe se gjërat u bënë të vështira që kur Macron erdhi në pushtet.
Ajo kritikoi taksat e larta dhe kushtet në arsim, duke thënë se mësuesit përballen me lodhje profesionale, dhe kushtet në shkollën e saj të mëparshme ishin të këqija.
"Në dimër në shkollë ndjenim si të frynte era, dhe në verë temperatura brenda arrinte deri në 35 gradë Celsius, gjë që e bënte të vështirë mësimin," tha ajo.
Zelie shtoi se dëshiron që Macron të kuptojë se çfarë u nevojitet qytetarëve dhe të marrë masa konkrete. Ajo shprehu gjithashtu shqetësim për të ardhmen e saj në Francë, duke thënë se kishte qenë pa punë për gjashtë muaj ndërsa kërkonte punë në marketing.



