Vuçiç do të flasë pas orës 22 nga selia zgjedhore e SNS

Fjalimi i presidentit aktual të Serbisë dhe kryetarit të listës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet parlamentare, Aleksandar Vuçiç, pritet të mbahet pas orës 22 nga selia zgjedhore e partisë.
Vuçiç pas votimit deklaroi se do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve "cilado qoftë vendimi i qytetarëve".
Më herët gjatë ditës ai njoftoi se do t'u drejtohet publikut pas mbylljes së vendvotimeve dhe publikimit të rezultateve të para.
Dita e zgjedhjeve në Serbi u shoqërua me raportime për parregullsi dhe incidente në disa vende, ndërsa studentët paralajmëruan për mundësinë e mbledhjes së mbështetësve të SNS-së pas publikimit të rezultateve. Ata gjithashtu bënë thirrje për shmangien e përplasjeve dhe dhunës.
Sipas të dhënave zyrtare të fundit nga RIK, deri në orën 18 dalja në votime ishte 64.89 për qind, pa Kosovën, ndërsa rezultatet e para preliminare zyrtare pritet të publikohen gradualisht gjatë mbrëmjes.



