Vuçiç pret fitore me më shumë se 400.000 vota diferencë në zgjedhjet në Serbi

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili është kryesues i listës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme pret një fitore të thellë ndaj kundërshtarit kryesor, Listës së Studentëve, me një diferencë prej më shumë se 400.000 votash.
Nëse SNS fiton në zgjedhje, Vuçiç do të bëhet kryeministër dhe do të vazhdojë sundimin e tij prej gati 14 vjetësh. Kundërshtari i tij më serioz në zgjedhje është Lista e Studentëve, e formuar pas dy viteve protestash antiqeveritare të udhëhequra nga studentët.
"Ata vetë gënjehen me historinë se do të fitojnë, ndërsa liderët e tyre e dinë që po humbin", deklaroi Vuçiç për televizionin proqeveritar "Pink".
"Këto janë përralla dhe histori për fëmijë të vegjël. Diferenca do të jetë aq e madhe sa do të tronditen, së paku 400.000 vota", shtoi Vuçiç.
Të drejtë vote në zgjedhjet e caktuara për 25 tetor kanë 6.45 milion qytetarë të Serbisë.
Opozita, studentët dhe organizatat joqeveritare paralajmërojnë për mundësi abuzimesh zgjedhore, duke theksuar se nuk janë zbatuar shumë rekomandime të OSBE-së për rishikimin e listës së votuesve dhe përmirësimin e procesit zgjedhor.
Vuçiç, nga ana tjetër, iu përgjigj me akuza kundër.
"Ne nuk do të bëjmë absolutisht asgjë, përveç se nuk do t'ju lejojmë të vidhni vullnetin zgjedhor të popullit. Nuk do t'ju lejojmë të vidhni qese me vota dhe procesverbale, nuk do t'ju lejojmë të vidhni asnjë votë të vetme në Serbi", theksoi Vuçiç.



