Orë policore në Paris dhe qytete të tjera franceze, ministri pranon: Humbëm kontrollin

Autoritetet franceze këtë mbrëmje ndaluan pjesërisht protestat në Paris dhe vendosën orë policore në disa qytete pas disa ditëve trazirash të dhunshme, grabitjesh dhe përplasje me policinë nëpër vend. Në disa pjesë të kryeqytetit francez tubimet publike ndalohen nga ora 20:00, ndërsa ora policore natën fillon në orën 23:00.
Kryeministri Sébastien Lecornu kërkoi nga autoritetet lokale të vendosin orë policore në qytetet më të prekura, duke mos përjashtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nëse situata përkeqësohet më tej.
Njëkohësisht, kriza politike thellohet për shkak të dështimeve në siguri gjatë trazirave. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ka ofruar dorëheqjen, pasi pranoi se policia në disa qytete ka humbur kontrollin mbi situatën. Presidenti Emmanuel Macron refuzoi të pranojë dorëheqjen dhe kërkoi ndryshim urgjent të taktikes policore.
Sipas AFP, policia e Parisit ndaloi protestat dhe tubimet publike nga ora 20:00 në disa pjesë të qytetit, ndërsa ora policore do të zgjasë nga ora 23:00 të hënën deri në orën 6:00 të së martës, në Sheshin e Republikës dhe në lagjen tregtare Les Halles.
Masa të ngjashme janë vendosur edhe në qytete të tjera. Në Lille dhe disa qytete të tjera në veri të Francës është vendosur orë policore për të miturit nën 18 vjeç, nga ora 20:00 deri në 6:00, gjatë dy netëve të ardhshme. Në Nice ora policore për të miturit fillon në orën 21:00.
Në Marseille, autoritetet të hënën ndaluan tubimet dhe demonstratat në të gjithë territorin e qytetit, nga mesdita deri në orën 20:00.
Kryeministri Lecornu theksoi se masat duhet të jenë të kufizuara në zona konkrete dhe të përshtatura me situatën e sigurisë.
"Nuk është e pranueshme që i gjithë Parisi të vendoset nën orë policore. Kjo nuk ka kuptim", deklaroi Lecornu pas takimit të shtabit ndërministror të krizës.
Ai shpjegoi se dhuna ishte përqendruar në qendra të caktuara të qytetit dhe se kufizimet duhet të synojnë zonat me rrezikun më të madh për trazira të reja.



