"DPMNE shkurton 185 milionë nga arsimi", thonë nga Levica

"Qeveria e DPMNE-së ka shkurtuar fondet për arsimin për 185 milionë denarë. Bëhet fjalë për uljen e buxhetit fillestar të Ministrisë së Arsimit me ribalancimin, ku shpenzimet kapitale u shkurtuan për 518 milionë denarë shtesë", thonë nga partia Levica.
"Në kohën kur studentët me vështirësi mbulojnë shpenzimet bazë të jetesës, standardi studentor po bie, dhe ushqimi i subvencionuar studentor prej vitesh nuk përshtatet me inflacionin, qeveria vendosi ta varfërojë edhe më shumë buxhetin tashmë të pamjaftueshëm për arsimin.
Kjo është një goditje direkte ndaj studentëve dhe të rinjve, të cilët në vend të kushteve më të mira për studim, arsimit më cilësor dhe një standardi dinjitoz studentor, marrin shkurtime të reja dhe premtime boshe. Ndërsa çmimet rriten dhe fuqia blerëse e studentëve zvogëlohet, DPMNE tregon se arsimi nuk është prioritet për ta.
Prandaj nuk ka para për rritjen e ushqimit studentor! Kur duhet të sigurohen fonde për studentët, përgjigjja është se buxheti është i kufizuar – duhet kursyer pikërisht tek të rinjtë! Por ka para për NATO-n, për shpenzime ushtarake dhe për interesat e disa të pasurve.
Në të gjithë botën të rinjtë ngrihen kundër shkurtimit të fondeve për arsimin dhe kundër politikanëve që faturën për gabimet e tyre ia kalojnë qytetarëve. Tek ne kemi një qeveri që çdo vit merr borxh, shkatërron jetën e përditshme të qytetarëve dhe kursen në të gjitha kategoritë përveç tek më të pasurit. Studentët tani janë në shënjestër të kësaj qeverie të djathtë.
Shteti që varfëron sistemin e vet arsimor, varfëron të ardhmen e vet. Një sistem arsimor i dështuar krijon patjetër një shtet të dështuar.
Levica përmes ndërhyrjeve amandamentare do të përpiqet të ndalë këtë ribalancim shpenzues. Ka para për të rinjtë, për punëtorët dhe për pensionistët – por nuk ka vullnet politik tek DPMNE dhe funksionarët e tyre, sepse shkurtimet duhet të fillojnë nga lukset E TYRE!", njoftojnë nga partia Levica.



