E shtunë, 7 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Fundjavë të mundshme ndërprerje të shërbimeve bankare

Qytetarët dhe kompanitë duhet të planifikojnë në kohë pagesat e tyre, pasi sot dhe nesër, më 7 dhe 8 nëntor, janë të mundshme ndërprerje të përkohshme dhe kufizime në disa nga shërbimet bankare. Arsyeja janë përshtatjet teknike që bankat po i bëjnë për shkak të futjes së standardeve të reja në pagesat në denar, të cilat fillojnë të zbatohen nga e hëna, më 9 nëntor, njofton Shoqata Bankare e Maqedonisë.

Kufizimet kryesisht lidhen me transaksionet e pagesave, dhe çdo bankë veç e veç publikon oraret dhe shërbimet që do të preken. Shoqata i fton përdoruesit që të përfundojnë në kohë pagesat e planifikuara dhe të ndjekin rregullisht njoftimet nga bankat e tyre.

Nga Banka Ekonomike Shkup njoftojnë se sot urdhërat përmes bankës elektronike mund të krijohen deri në orën 14:00. Pas këtij afati nuk do të jetë e mundur krijimi i urdhrave as për datë aktuale as për datë të ardhshme. Kufizimi do të vazhdojë edhe nesër, deri në rivendosjen e sistemit më 9 nëntor.

Nga banka theksojnë se kartat e pagesës do të mbeten plotësisht funksionale. Klientët do të mund të paguajnë pa pengesa në terminalet POS, si dhe të tërheqin dhe depozitojnë para nëpërmjet bankomateve.

Kufizim të aksesit në shërbimet digjitale njoftoi edhe banka NLB. Nga sot në orën 10:00 dhe gjatë gjithë fundjavës, internet dhe banka mobile do të jenë me akses të kufizuar.

Gjatë kësaj periudhe pagesat në bankomate do të jenë plotësisht të pamundura, por tërheqja e parasë do të kryhet pa pengesa. Klientët do të mund të përdorin kartat e pagesës për pagesa në terminalet POS në rrjetin tregtar, si dhe për pagesa në internet.

Prej të hënës, më 9 nëntor, fillon zbatimi i urdhrave të rinj të pagesave, kodeve për qëllimin e pagesës dhe përdorimit të llogarive bankare në formatin IBAN. Numrat ekzistues të llogarive mbeten të pandryshuara, ndërsa bankat automatikisht do të përshtatin shfaqjen e tyre në formatin e ri në bankën elektronike dhe mobile.

Shoqata Bankare e Maqedonisë sqaron se bëhet fjalë për aktivitete teknike të planifikuara paraprakisht, të cilat janë pjesë e procesit të modernizimit të pagesave kombëtare.

Lajme të ngjashme