LSDM: Mickoski ka pranuar se ka vendosur për hyrjen e “Alta Bankës” në Maqedoni, kërkojmë hetim

LSDM akuzoi se kryeministri Kristian Mickoski ka vendosur personalisht për hyrjen e “Alta Bankës” në Maqedoni, duke u thirrur në deklaratat e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slaveski, dhe të vetë kryeministrit. Partia opozitare kërkon që prokuroria të hapë hetim për Mickoskin, Slaveskin dhe ministres Gordana Koçoska, si dhe të përfshihet Prokuroria Evropiane për verifikimin e rrjedhës së parave të lidhura me bankën.
Në njoftimin partiak nga konferenca për shtyp e sotme e zëdhënëses dhe anëtares së Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, thuhet se publiku në të njëjtën ditë ka marrë dy pranimet – nga Mickoski dhe nga Slaveski.
Nga LSDM pretendojnë se Slaveski ka konfirmuar se vendimin për hyrjen e “Alta Bankës” në Maqedoni e ka marrë kryeministri, dhe si degë strategjike, sipas deklaratës së tij, duhej të plotësoheshin kushtet e “ndjeshmërisë politike”.
“Kjo është një konfirmim i drejtpërdrejtë i asaj që LSDM thotë tashmë 11 muaj, Mickoski dhe Slaveski sollën lavanderinë e parave të Vuçiqit me kapital të dyshimtë në Maqedoni”, theksojnë nga partia.
Opozita i akuzon Mickoskin dhe Slaveskin për gjendjen me bankën, duke theksuar se qytetarët dhe pensionistët nuk mund të qasen në paratë e tyre, ndërsa personat juridikë nuk mund të paguajnë paga. Nga LSDM pretendojnë se leja për punë të bankës iu dha Davor Macurës, për të cilin thonë se më parë ka qenë pronar i një këmbimi valutor.
“Davor Macura së pari mori leje nga Vuçiqi, pastaj nga Mickoski”, theksojnë nga LSDM.
Nga partia thonë se kanë zbuluar edhe dokumente, përkatësisht procesverbal nga një mbledhje qeveritare, nga i cili, sipas interpretimit të tyre, shihet se Qeveria e Mickoskit ka marrë vendime me të cilat aksione nga ndërmarrjet shtetërore janë ofruar në interes të Macurës dhe “Alta Bankës”.
LSDM pretendon se në Evropë ka pasur sanksione dhe pezullime të lidhura me “Alta Bankën”, ndërsa në Mal të Zi ka pasur refuzime dhe presione që nuk kanë arritur qëllimin. Në njoftim paraqiten edhe akuza për lidhje të supozuar të pronarit formal Davor Macura me një rrjet kriminal, korrupsion dhe para nga droga, si dhe pretendime se në Serbi ka falimentim, arrestim dhe hetim.
Opozita hap edhe temën për paralajmërimin e Mickoskit se do të negociojë me blerës potencialë të “Alta Bankës” në Maqedoni, duke pyetur se si mund të marrë pjesë kryeministri në biseda të tilla kur Banka Popullore është institucion i pavarur.
“Ashtu si herën e parë kur sollën Alta Bankën në Maqedoni, dmth e importuan nga mentori i tyre Vuçiq. Gjithashtu, Mickoski vendosi. ‘Ndjeshmëri’. Ai mori vendim për hyrjen e bankës së klanit të Vuçiqit përmes Macurës. Tani ai merr vendim për shitje”, thuhet në njoftim.
Nga LSDM pyesin sa herë Mickoski ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për “Alta Bankën”, sa herë është takuar me Macurën dhe nëse në ato takime është biseduar për komisione.
Partia kërkon edhe verifikim të pretendimeve për 80 milionë euro në para të gatshme ose ekuivalente monetare përkatëse, sa, sipas tyre, është shënuar në bilancin e bankës.
“A ekzistojnë në thesarin dhe dokumentet e Alta Bitola 80 milionë euro cash ose ekuivalente cash përkatëse? Ka kaq në bilancin e bankës. Kishte kohë të mjaftueshme ta kontrollonte dhe kërkojmë të deklarohet menjëherë”, pyesin nga LSDM, duke shtuar se sipas tyre, të tilla mjete nuk kanë ekzistuar në bankën e Macurës në Beograd.
Në njoftim, LSDM i bën thirrje edhe punonjësve të Bankës Popullore që të mos i nënshtrohen, siç thonë, presioneve dhe kërcënimeve nga pushteti, ndërsa paralajmëron përgjegjësi për të gjithë ata që eventualisht kanë shkelur ligjin.
Në fund, partia kërkon që prokurori Ljupço Kocevski menjëherë të hapë hetim për Mickoskin, Slaveskin dhe Koçoskën, si dhe që Prokuroria Evropiane të përfshihet në verifikimin e të gjitha rrjedhave financiare të lidhura me “Alta Bankën”.
“Të gjithë të përfshirët në skandalin me Alta Bankën të përgjigjen!”, përfundon mesazhi i LSDM-së.



