E premte, 30 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

"Një tip i vështirë me ego të madh, Reali është më i mirë pa të"

Lothar Matthäus (65), legjenda gjermane e futbollit dhe kampioni botëror i vitit 1990, kritikoi ashpër Vinicius Junior (26). Në një bisedë me gazetarët para derbit mes Bayern dhe Borussia Dortmund, ai tha se Vinicius është problemi më i madh i "klubit mbretëror", se sjellja e tij i dëmton ekipin dhe se trajneri José Mourinho duhet ta lërë atë në stol.

Matthäus shprehu kritikat pas fitores së Realit 2:1 ndaj Barcelonës në El Clasico. Vinicius nuk luajti për shkak të pezullimit prej katër ndeshjesh, që e mori pas kartonit të kuq kundër Villarrealit. Gjermani beson se Reali pa brazilianin tregoi se mund të luajë më mirë dhe më të organizuar.

"Më intereson se çfarë do të bëjë Real Madrid me Vinicius Junior. Sepse pa të, Reali funksionon më mirë. Kjo tani është punë e Mourinhos. Çfarë të bëhet me Viniciusin? Pas dy apo tre vitesh, ata fituan përsëri në El Clasico në Barcelonë. Luajtën mirë edhe pa Viniciusin, i cili u zëvendësua në Romë, ku në fund fituan 4:3", tha Matthäus, transmeton gjermania "Bild".

"Ai është një njeri që krijon trazira. Ai është një person i pakëndshëm. Kështu është. Ai nuk është i mirë për ekipin. Gjithashtu, ekziston edhe imazhi i tij i përgjithshëm në publik. Prandaj më pëlqeu që nuk përfundoi ndër dhjetë të parët në zgjedhjen për Topin e Artë", tha gjermani.

Më pas Matthäus e krahasoi sjelljen e Vinicius me atë të Harry Kane, sulmuesit anglez të Bayern dhe fituesit të Topit të Artë.

"Kjo është pikërisht ajo që e dallon Harry Kane. Edhe jashtë fushës, ai tregon mirëkuptim për të gjithë, ndan kohë për të gjithë dhe sillet si një zotëri. Ndërsa Vinicius Junior nuk është i tillë", tha ai.

Matthäus beson se Real Madrid përballet me një problem që nuk ekziston te Bayern dhe Barcelona.

"Faleminderit Zotit, Bayern Munihu nuk ka një gjë të tillë. As Barcelona nuk ka. Real Madrid ka këtë problem. Problemi i Real Madrid quhet Vinicius Junior. Kur ai nuk është, ekipi funksionon. Është më i disiplinuar, të gjithë luajnë për njëri-tjetrin, së bashku. Me të, gjithçka është çështje egoje. Ego e madhe dhe gjuha e tij e trupit. Dhe kjo i dëmton ekipin, i dëmton edhe klubin", tha Matthäus.

Legjenda gjermane beson se drejtuesit e Realit duhet të reagojnë ndaj sjelljes së brazilianit. Në të njëjtën kohë, ai përmendi presidentin Florentino Pérez dhe trajnerin Mourinho.

"Shpresoj, për të mirën e Real Madrid, që në një moment presidenti do të ketë një bisedë të qartë me Vinicius Junior, që ose do të rregullohet ose Mourinho do ta lërë në stol", tha Matthäus dhe përfundoi:

"Kur është i pezulluar, nuk mund të luajë, por edhe Vinicius Junior plotësisht i shëndetshëm mund të ulet në stol sepse, sipas meje, nga jashtë duke parë, i dëmton ekipin. Dhe klubin."

Këtë sezon, Vinicius është një nga lojtarët më të komentuar të Realit. Në zgjedhjen e fundit për Topin e Artë, ai përfundoi në vendin e 17-të, dhe Matthäus beson se sjellja e tij nuk i përket standardeve që duhet të përfaqësojë një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

Foto/ Depositphotos

Lajme të ngjashme