"Aktori jashtëzakonisht i mirë": Piers Brosnan zbulon kë e sheh si James Bond të ri

Piers Brosnan i dha mbështetje Calum Turner si një James Bond i mundshëm i ri, duke theksuar se pikërisht ky aktor mund të përshtatet shkëlqyeshëm në rolin kult.
Aktori i njohur, i cili interpretoi agjentin 007 në katër filma nga viti 1995 deri në 2002, në një intervistë për "Vanity Fair" deklaroi se, ashtu si pjesa tjetër e botës, mezi pret shpalljen e emrit të aktorit që do të marrë rolin e Bondit të ri.
"Tani jam vetëm një spektator që mezi pret të shohë se kush do ta luajë këtë rol epik nga historia e kinematografisë", tha Brosnan, duke veçuar Turner, me të cilin ka bashkëpunuar në filmin "The Only Living Boy in New York" të vitit 2017.
"Të gjithë burrat që aktualisht janë në listë janë aktorë që i admiroj. Calum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe ai është një aktor jashtëzakonisht i mirë. Të gjithë ata kanë zërin e tyre, pamjen fizike dhe prezencën në ekranin e filmit. Të gjithë kanë potencial për një karrierë të gjatë aktoriale", mendon Brosnan.
Përveç Turner, midis kandidatëve për rolin e James Bondit të ri përmenden edhe Jack Lowden, Josh O’Connor, si dhe një aktor tjetër, identiteti i të cilit mbahet sekret me rreptësi.
Brosnan i uroi fat, forcë dhe guxim Bondit të ardhshëm.
"Kushdo që ta marrë këtë rol, i uroj çdo të mirë në jetë, si dhe forcë dhe guxim. Është e vështirë të thuhet se kush do të jetë, por mezi pres të dëgjoj lajmet dhe të festojmë James Bondin e ri", përfundoi Brosnan.



