E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Një i burgosur në Gjermani u arratis me ndihmën e një çelësi të blerë në internet për më pak se 10 euro

Një i burgosur që arriti të arratiset gjatë një vizite te mjeku në qytetin gjerman Essen, çliroi prangat e këmbëve me ndihmën e një çelësi që mund të blihet në internet për më pak se 10 euro, njoftoi sot gazeta gjermane „Spiegel“.

Ministri i drejtësisë i landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Benjamin Limbach, në një takim konfidencial informoi Komisionin e Drejtësisë të parlamentit të landit se prangat nuk kishin një bravë unike dhe të veçantë, raporton gazeta.

Në vend të kësaj, brava mund të hapet me një çelës universal që funksionon edhe për modele të tjera identike, dhe çelësa të tillë janë të disponueshëm në internet.

Ngjarja ndodhi në mes të tetorit, kur dy roje burgu po shoqëronin një të dënuar 34-vjeçar, me pranga në këmbë, nga burgu në Essen për një kontroll mjekësor në qendër të qytetit.

Në shkallë, dy burra të maskuar kapën rojet, dhe më pas u arratisën së bashku me të burgosurin.

Hetimi ende duhet të përcaktojë nëse ndihmësit e siguruan vetë çelësin në internet ose nëse dikush nga stafi i burgut i ndihmoi ata.

Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se incidenti ka nxitur një rishikim të plotë të procedurave dhe masave të kujdesit gjatë shoqërimit të të burgosurve, transmeton „Spiegel“.

Gazeta kujton se i njëjti problem sigurie u zbulua për herë të parë në shkurt, kur një i paraburgosur në Bavari çliroi prangat e tij me një çelës që ishte lehtësisht i disponueshëm në internet.

Lajme të ngjashme