MBA: Po afrohet zbatimi i standardeve të reja në pagesat kombëtare – ndryshimet nuk nënkuptojnë ndryshim të llogarive ekzistuese të pagesave

Shoqata Bankare e Maqedonisë informon publikun se gjatë muajit nëntor fillon zbatimi i ndryshimeve rregullatore të miratuara, të cilat sjellin ndryshime në urdhrat e pagesës, shenjat për qëllimin e pagesës dhe mënyrën e shënimit të llogarive të pagesave.
Ndryshimet rrjedhin nga Ligji për shërbimet e pagesës dhe sistemet e pagesave dhe nga aktet nënligjore përkatëse të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Fillimi i zbatimit të tyre lidhet me modernizimin e sistemeve të pagesave në vend.
Për qytetarët dhe kompanitë, më e rëndësishmja është se numri i llogarisë së tyre nuk ndryshon. Gjatë pagesës, llogaria e pagesës do të përdoret në formatin IBAN, domethënë me shtimin e shenjës MK07 para numrit ekzistues të llogarisë. Përshtatjet në bankimin elektronik dhe atë mobil do t’i bëjnë bankat.
Do të fillojë zbatimi edhe i urdhrave të rinj të standardizuar të pagesës, të cilët do të zëvendësojnë formatet aktuale PP10, PP30, PP40, PP50 dhe PP53. Format e rinj do të përdoren si në formë letre ashtu edhe në formë elektronike.
Ka ndryshime edhe në shenjat për qëllimin e pagesës. Kodet numerike ekzistuese do të zëvendësohen me shenja të reja katërshifrore, duke mundësuar kështu përcaktim më të saktë të qëllimit të pagesës dhe përpunim më të mirë të të dhënave.
Kompanitë që përdorin shkëmbim të automatizuar të urdhrave, zgjidhje kontabël ose të tjera të integruara, për të cilat mund të jenë të nevojshme përshtatje përkatëse, do të informohen nga bankat në përputhje me afatet ligjore dhe udhëzimet e rregullatorit.
Ndryshimet janë pjesë e procesit të mëtejshëm të standardizimit dhe modernizimit të pagesave kombëtare, përmirësimit të cilësisë dhe strukturës së të dhënave dhe krijimit të kushteve për përpunim më efikas të transaksioneve të pagesave.
Sektori bankar në periudhën e kaluar ka ndërmarrë aktivitete për përshtatje teknike dhe organizative me standardet e reja, me qëllim që zbatimi i tyre të zhvillohet pa ndërprerje dhe pa pengesa për përdoruesit e shërbimeve të pagesës.
MBA inkurajon qytetarët dhe kompanitë që të ndjekin në kohë njoftimet dhe udhëzimet praktike që do të publikojnë bankat e tyre lidhur me urdhrat e rinj të pagesës, përdorimin e IBAN-it dhe ndryshimet e tjera të lidhura me zbatimin e standardeve të reja.



