Një fëmijë katërvjeçar është milioneri më i ri në shtet

Një fëmijë katërvjeçar është marrësi më i ri i të ardhurave mbi një milion denarë në shtet për vitin 2025, tregon analiza e Drejtorisë për të Ardhurat Publike. Të ardhurat i ka realizuar nga dividenda, ndërsa marrësi më i moshuar i të ardhurave milionëshe është 97 vjeç dhe ka realizuar të ardhura nga pensioni dhe nga burime të tjera.
Nga DAP sot prezantuan të dhënat për të ardhurat e qytetarëve për vitin 2025.
DAP përgatiti deklarata të parapërmbushura tatimore vjetore për rreth 863 mijë qytetarë, me të ardhura bruto totale prej 612,9 miliardë denarë dhe tatim mbi të ardhurat personale të llogaritur prej rreth 39,8 miliardë denarë.
Norma efektive e tatimit është rreth 6,5%, në krahasim me normën e përcaktuar prej 10%, për shkak të uljeve tatimore për disa lloje të të ardhurave.
"Në krahasim me vitin 2024, numri i qytetarëve që kanë realizuar të ardhura të tatueshme është rritur për 82.702 persona. Të ardhurat bruto totale dhe tatimi i llogaritur janë më të larta për rreth 14%. Grupi më i madh përbëhet nga 638 mijë qytetarë, që përbën afërsisht dy të tretat e tatimpaguesve, me të ardhura bruto vjetore nga 100 mijë deri në një milion denarë. Ata realizojnë 55% të të ardhurave bruto totale. Nga ana tjetër, 16% e tatimpaguesve, me të ardhura nga një deri në dhjetë milionë denarë, realizojnë 39% të të ardhurave totale".
Sipas njoftimit, vëmendje të veçantë tërheq pragu më i lartë i të ardhurave.
"Në vitin 2025, 31 qytetarë kanë realizuar të ardhura vjetore mbi 100 milionë denarë, me shumën totale prej 4,973 miliardë denarë. Në vitin 2024, në këtë grup kanë qenë 42 qytetarë me të ardhura totale prej 6,753 miliardë denarë. Kështu, në pragun më të lartë të të ardhurave ka ulje si në numrin e personave ashtu edhe në të ardhurat totale të realizuara. Të ardhurat nuk krijohen vetëm nga paga. Rreth dy të tretat e të ardhurave bruto totale në vitin 2025 rrjedhin nga pagat. Pensionet kontribuojnë me 9,5%, ndërsa të ardhurat e tjera personale nga puna me 8,2%. Të ardhurat nga prodhimet bujqësore dhe nga dividendat dhe të ardhurat e tjera nga kapitali përbëjnë pak më pak se 5%, ndërsa fitimet nga lojërat e fatit, qiratë dhe të ardhurat e tjera përbëjnë rreth 2%. Kategoritë e tjera të të ardhurave, si për shembull të ardhurat nga veprimtaria e pavarur, kanë pjesëmarrje shumë të vogël, nën 1%. Rreth 596 mijë qytetarë kanë marrë paga, 15 mijë kanë realizuar të ardhura nga veprimtaria e pavarur, dhe 49 mijë qytetarë nga shitja e prodhimeve bujqësore të tyre. Dividendat janë paguar për 33 mijë persona, ndërsa 145 mijë kanë realizuar të ardhura të tjera, kategori në të cilën përfshihen edhe të ardhurat nga shitja e mbeturinave të ngurta, tregtia elektronike dhe burime të tjera të tatueshme. Rreth 33 mijë persona kanë realizuar të ardhura nga qiratë, ndërsa 114 mijë kanë qenë fitues nga lojërat e fatit. Fitimet nga kapitali janë të rralla – dy mijë persona, por disa shitje të pjesëmarrjeve dhe letrave me vlerë sjellin qindra miliona".
Sipas të dhënave rajonale, Shkupi kontribuon me 36% në numrin total të deklaratave tatimore vjetore, por me 43% në të ardhurat bruto të realizuara. Të ardhurat mesatare vjetore për deklaratë në Shkup janë 846 mijë denarë dhe janë më të lartat ndër rajonet. Rajoni i Bitolës ka numër më të vogël qytetarësh që kanë realizuar të ardhura të tatueshme në krahasim me Shtipin dhe Prilepin, por të ardhura mesatare vjetore për deklaratë më të larta, respektivisht për qytetar, në krahasim me Shtipin dhe Prilepin.
Në nivelin më të ulët janë rajoni i Tetovës dhe ai i Strumicës, me pjesëmarrje më të vogël si në numrin e qytetarëve që kanë deklaruar të ardhura të tatueshme ashtu edhe në pjesëmarrjen në të ardhurat bruto totale në nivel kombëtar.
"Të dhënat për të ardhurat më të larta individuale janë gjithashtu interesante. Paga më e lartë bruto vjetore është 139,1 milionë denarë, ndërsa dividenda më e lartë është 252,6 milionë denarë, dhe fitimi më i lartë kapital është 164,2 milionë denarë. Të ardhurat më të larta nga veprimtaria e pavarur janë 157,9 milionë denarë. Kur bëhet fjalë për të ardhurat totale nga të gjitha burimet, të ardhurat më të larta në vitin 2025 janë 257,5 milionë denarë dhe i përkasin një qytetari nga Gjevgjelia përmes pagës, dividendës dhe të ardhurave të tjera. Pas tij vjen një qytetar nga Ohri me 254,4 milionë denarë. Të dhënat janë bazë për ndjekjen më të mirë të efekteve të politikave tatimore, vlerësimin e rreziqeve tatimore dhe zbulimin e rasteve të mundshme të të ardhurave të papërfshira ose të pasakta në deklarata.
Sa më mirë ta njohim pamjen reale tatimore, aq më shumë mbështetemi në fakte. Kjo është baza për një sistem tatimor transparent, më efikas dhe më të drejtë", thonë nga DAP.



