Arakçi: SHBA pranuan planin iranian, por kërkuan kushte shtesë

SHBA ranë dakord me kushtet e përmendura në iniciativën e Iranit të quajtur "plani shtatëditor", por kërkuan shtimin e disa klauzolave, deklaroi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Arakçi.
Në të njëjtën kohë, Arakçi konfirmoi se kontaktet diplomatike midis dy palëve vazhdojnë.
"Më parë, palës amerikane i prezantuam një iniciativë të quajtur 'plani shtatëditor', në të cilën qartë përmendëm kushtet tona. Gjiri i Ormusit duhej të hapej plotësisht në ditën e gjashtë të asaj periudhe. Amerikanët na informuan se pranonin ato kushte, por donin të shtonin edhe disa klauzola të tjera", tha Arakçi në një intervistë për rrjetin televiziv irakian "Al Ekbaria".
Duke shpjeguar arsyet për këtë iniciativë, shefi i diplomacisë iraniane deklaroi se Teherani dëshiron të mbajë rrugën e diplomacisë të hapur, me kusht që pala tjetër të përmbushë detyrimet e saj, transmeton "Irna".
Sipas Arakçit, është Uashingtoni, jo Teherani, që pengon përparimin dhe sipas tij, SHBA duhet të zbatojnë kushtet që më parë i kanë marrë përsipër.
"Nëse i përmbushin këto kushte, duhet të dinë se gjiri do të hapet plotësisht, pas së cilës do të vazhdojmë me negociatat derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare", tha ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për tensionet rreth Gjirit të Ormusit dhe pretendimet për përfshirjen e Iranit në ngjarjet në Detin e Kuq, ministri i Punëve të Jashtme hodhi poshtë çdo lidhje midis Teheranit dhe atyre ngjarjeve.
"Çështja e Detit të Kuq dhe ngjarjet që ndodhin atje nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me ne dhe kanë rrethanat e tyre specifike", tha ai.
Arakçi përsëriti se Gjiri i Ormusit nuk do të hapet plotësisht për të gjithë derisa të arrihet një marrëveshje, duke theksuar se Uashingtoni duhet të pranojë kushtet e Iranit për kalimin e anijeve dhe mjeteve lundruese.
Ai paralajmëroi se deri atëherë, trafiku detar nëpër gjirin dhe rrugët ekzistuese do të përballet me vështirësi, transmeton Tanjug.



