E mërkurë, 21 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Durmishi: Të rinjtë duhet të marrin një shans të vërtetë për punësimin e parë, përvojë praktike dhe zhvillim profesional

21.10.2026, 14:46

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi sot mori pjesë në forumit "NextGen CareerUp", i cili u mbajt në Tetovë, në organizim të Institutit për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës.

Në kuadër të forumit, Durmishi ishte pjesë e panel-diskutimit "Mbushja e hendekut: nga arsimi në punësim", i dedikuar sfidave me të cilat përballen të rinjtë në hyrjen në tregun e punës, nevojës për aftësi praktike dhe bashkëpunimit më të mirë mes institucioneve arsimore, kompanive dhe institucioneve shtetërore.

Në fjalimin e tij, ai theksoi se krijimi i mundësive cilësore për të rinjtë është një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ku vëmendje e veçantë i kushtohet masave aktive për punësim, praktikës, sipërmarrjes dhe zhvillimit të aftësive që i përgjigjen nevojave reale të ekonomisë.

"Detyra jonë është t'i ndihmojmë çdo të ri të bëjë hapin më të rëndësishëm – nga arsimi drejt përvojës së parë të punës. Diploma është një bazë e rëndësishme, por të rinjtë kanë nevojë edhe për njohuri praktike, mentorim dhe mundësi për të treguar potencialin e tyre. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte ku punësimi i parë të mos jetë pengesë, por fillim i zhvillimit të suksesshëm profesional", theksoi Durmishi.

Ai theksoi se përmes Planit Operativ për Punësim për vitin 2026 parashikohet mbështetje për mbi 10.000 qytetarë, me theks të veçantë te të rinjtë e papunë deri në moshën 29 vjeç.

Plani përfshin masa aktive të ndryshme, përfshirë grante për vetëpunësim, punësim të subvencionuar, trajnime për profesione në mungesë dhe praktikë, përmes së cilës parashikohet të përfshihen 1.150 të rinj.

"Nuk ekziston një zgjidhje e vetme që i përshtatet të gjithë të rinjve. Disa kanë nevojë për trajnim shtesë, të tjerëve u duhet mundësi për përvojë të parë praktike, ndërsa të tjerëve mbështetje financiare dhe profesionale për të nisur biznesin e tyre. Prandaj politikat tona janë të orientuara drejt krijimit të mundësive të ndryshme, me qëllim të përbashkët – që të rinjtë të marrin një perspektivë reale për punë, avancim dhe të ardhme të sigurt në vendin e tyre", u shpreh Durmishi.

Një theks i veçantë në diskutim u vu në nevojën për lidhje më të madhe mes arsimit të lartë dhe sektorit privat, si dhe rëndësinë e praktikës dhe mentorimit në përgatitjen e të rinjve për ambientin e punës.

Ministri theksoi se praktika është e rregulluar me ligj dhe se thelbi i saj nuk është vetëm përfitimi i përvojës së punës, por edhe sigurimi i një procesi cilësor të mësimit, me detyra të qarta, kompensim adekuat dhe mbështetje mentorimi.

"Të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për mundësinë për të hyrë në një kompani, por për mundësinë që aty të mësojnë diçka, të fitojnë vetëbesim dhe të zhvillojnë kompetenca profesionale. Prandaj mentorimi duhet të shihet si një investim në kuadrin e ardhshëm. Njëkohësisht, kompanitë duhet të njohin të rinjtë si potencial që duhet zhvilluar, jo si forcë punëtore nga e cila menjëherë pritet përvojë e plotë", theksoi ministri.

Duke folur për nevojat e tregut të punës, Durmishi theksoi se programet arsimore dhe masat aktive për punësim duhet të përshtaten vazhdimisht me ndryshimet teknologjike, dixhitalizimin dhe nevojat e kompanive.

Në këtë drejtim, ai potencoi rëndësinë e qasjes rajonale, veçanërisht në Rajonin e Pollogut, ku ekziston potencial për bashkëpunim më intensiv mes universiteteve, kompanive lokale, Agjencisë për Punësim dhe institucioneve që ofrojnë mbështetje për inovacion dhe sipërmarrje.

"Dua që forume të tilla të mos përfundojnë vetëm me diskutim, por të rezultojnë me aktivitete konkrete. Propozimi im është të fillojmë me një iniciativë të përbashkët në Rajonin e Pollogut, përmes së cilës do të lidhim të rinjtë, universitetet, kompanitë dhe institucionet. Me qëllime të qarta dhe rezultate të matshme mund të krijojmë një model që më pas do të aplikohet edhe në rajonet e tjera", theksoi Durmishi.

Lajme të ngjashme