E diel, 25 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Afër 1.000 të arrestuar në protestat në Francë, në Marsejë janë grabitur dy dyqane bizhuterish

25.10.2026, 08:52

Afër 1.000 persona janë arrestuar gjatë protestave në Francë të shtunën, ndërsa në disa qytete janë regjistruar incidente dhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Autoritetet franceze kanë angazhuar rreth 70.000 policë dhe xhandarë në gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në protesta kanë marrë pjesë rreth 410.000 njerëz, ndërsa sindikata CGT vlerëson se numri ka arritur në 800.000. Në Paris, policia ka regjistruar rreth 110.000 demonstrues, ndërsa sindikata vlerëson se ka pasur 250.000 pjesëmarrës.

Ministri francez i Brendshëm Laurent Nuñez ka njoftuar se deri në orën 19:30 janë arrestuar afër 1.000 persona dhe ka paralajmëruar se ky numër mund të rritet më tej. Ai ka theksuar se në të njëjtën periudhë gjatë protestave më 17 tetor janë arrestuar 385 persona.

Nuñez ka vlerësuar se marshimet kryesisht kanë kaluar paqësisht, por disa grupe kanë tentuar të shkaktojnë trazira dhe të kryejnë vepra penale. Sipas tij, policia ka parandaluar sulme ndaj objekteve publike dhe tentativa grabitjesh, transmetoi BFM TV.

Në Marsejë janë grabitur dy dyqane bizhuterish në arondisjen e pestë, kanë njoftuar burime policore. Në Nisë, deri në orën 19 janë arrestuar 61 persona. Në pjesën e vjetër të qytetit është shpërndarë një grup i së djathtës ekstreme, ndërsa policia ka vazhduar të shpërndajë demonstruesit në zonën bregdetare.

Në Clermont-Ferrand një person ka pësuar një lëndim të rëndë në dorë dhe është trajtuar urgjentisht. Në Caen janë arrestuar 16 persona.

Në Toulon situata është qetësuar, por deri në orën 20:30 janë arrestuar gjithsej 64 persona, prej të cilëve 20 janë mbajtur në paraburgim. Më parë, rreth 150 demonstrues janë shkëputur nga marshimi protestues, kanë djegur kontejnerë mbeturinash dhe kanë sfiduar forcat policore, pas së cilës janë shpërndarë përsëri. Nga 55 të arrestuarit deri në orën 19:30, 33 ishin të mitur.

Në Tour ka shpërthyer një zjarr në një degë të bankës "Banque Populaire", me rrezikun që zjarri të përhapet në ndërtesat banesore pranë. Arsyeja e zjarrit për momentin nuk është e njohur.

Në departamentin Gard protestat kanë kaluar pa incidente, megjithëse katër persona janë mbajtur në paraburgim. Në Montpellier, në protestë kanë marrë pjesë rreth 6.300 njerëz pavarësisht ndalimit për mbajtjen e tubimit. Janë arrestuar tetë persona, ndërsa janë plagosur dy anëtarë të njësive policore. Sipas informacioneve deri tani, nuk ka raportime për dëme materiale më të mëdha.

Lajme të ngjashme