Belgjika e shtyn ndalimin e duhanit në tarracat e lokaleve të ushqimit dhe pijeve

Belgjanët do të mund të pinë duhan në tarracat e restoranteve edhe për një kohë, pasi qeveria njoftoi se po e shtyn ndalimin e planifikuar të duhanit në hapësira të hapura, i cili duhej të hynte në fuqi në fillim të vitit 2027, transmeton „Politico“ (Politico).
Qeveria federale kishte planifikuar të ndalonte duhanin para kafeneve dhe lokaleve të ushqimit dhe pijeve nga 1 janari, si pjesë e masave për shëndetin publik për të cilat angazhohet ministri socialdemokrat i shëndetësisë, Frank Vandenbroucke.
„Megjithatë, Këshilli Shtetëror i Belgjikës na kërkoi të përshtatim disa masa, prandaj po punojmë në këtë drejtim“, thanë nga kabineti i Vandenbroucke.
Veprimi fillestar i ministrit u përball me kundërshtim nga sektori belg i ushqimit dhe pijeve. Në njoftim shtesë thuhet se shtyrja do t’u japë lokaleve kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me rregullat e reja.
Disa vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur ndalime të ngjashme, megjithëse me sukses të ndryshëm. Franca kohët e fundit vendosi ndalim për duhanin në plazhe, në parqe dhe pranë shkollave.
Në ndërkohë, në korrik, Spanja miratoi një projektligj me të cilin ndalimi i duhanit do të zgjerohej në tarraca dhe hapësira të tjera publike, duke përfshirë kufizime për cigaret elektronike, megjithëse plani po has në rezistencë nga pronarët e restoranteve.
Vitin e kaluar Belgjika miratoi një sërë ligjesh të reja kundër duhanit, duke përfshirë kufizime për duhanin në aeroporte dhe ndalim për cigaret elektronike me shije, në përpjekje për të arritur deri në vitin 2040 një „gjeneratë pa tym“.
Ndalimi i duhanit në hapësira të hapura është një nga masat e shumta që mbështet Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Sipas Fondacionit Belg të Luftës Kundër Kancerit, pothuajse një e katërta e belgjanëve pinë duhan, dhe 19 për qind e tyre e bëjnë këtë çdo ditë. Nuk është e qartë sa gjatë Belgjika do ta shtyjë ndalimin e duhanit në hapësira të hapura.



