„Bota do të tmerrësohet“: Komandantët iranianë përgatiten për luftë të mëtejshme

Iran po përgatitet për një fazë të re të luftës me Shtetet e Bashkuara, duke drejtuar kërcënime publike ndaj Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Me këtë, Teherani duket se përpiqet të ndalë presidentin Donald Trump nga eskalimi i konfliktit.
Gjatë muajit të kaluar, komandantët ushtarakë iranianë dhanë një seri deklaratash ku pretendojnë se kanë rezerva të reja armësh – të cilat janë të gatshëm t’i përdorin kundër objektivave jashtë rajonit, nëse SHBA vazhdojnë me veprimet armiqësore të nisura në shkurt.
Përfaqësues të regjimit kërcënuan se do të zgjeronin listën e objektivave potenciale nëse konflikti vazhdon, duke përmendur mundësinë e prerjes së kabllove nënujore të internetit, sulme ndaj qendrave të të dhënave të lidhura me inteligjencën artificiale, si dhe sulme ndaj impianteve rajonale të naftës dhe gazit, raporton CNN.
„Bota do të tmerrësohet“
„Bota do të tmerrësohet“, tha në fund të muajit të kaluar Hosein Mohebi, zëdhënës i Gardës Revolucionare Iraniane, duke shtuar: „Kemi objektiva të reja që ende nuk janë sulmuar“.
Gati nëntë muaj pasi SHBA dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit, konflikti ka ngecur në një ngërç. Qëllimet përfundimtare të presidentit Trump mbeten të paqarta, ndërsa bota përballet me paqëndrueshmëri ekonomike.
Të dyja palët shpallën fitore: Teherani feston mbijetesën e tij, ndërsa Uashingtoni thekson dëmet e shkaktuara ndaj regjimit iranian. Ndërkohë, administrata e Trump teston masa të reja ekonomike dhe ushtarake për të detyruar Iranin në kapitullim – por Teherani vazhdon të rezistojë. „Lufta nuk ka përfunduar. Garda Revolucionare Islamike është përgatitur për një konflikt afatgjatë“, tha Mohebi.
Kërcënime për Evropën
Në javët e fundit, këshilltarët në Shtëpinë e Bardhë kanë diskutuar opsionet në lidhje me Iranin. Edhe pse Trump publikisht deklaroi se nuk do të ndërmarrë hapa të rinj para zgjedhjeve për Kongresin, disa këshilltarë – në mënyrë jozyrtare – për CNN thanë se nuk janë të sigurt nëse kjo vendim është përfundimtare apo mund të ndryshojë deri në zgjedhjet më 3 nëntor.
Ushtria amerikane ka përgatitur plane të reja që përfshijnë përdorimin e mundshëm të asaj që njihet si „nëna e të gjitha bombave“ (MOAB). Nëse Trump urdhëron vazhdimin e operacioneve, objektiva do të jenë infrastruktura energjetike iraniane dhe impiantet bërthamore. Bomba GBU-43/B (Massive Ordnance Air Blast) është arma më e madhe jo-bërthamore në arsenalin amerikan, dhe përdorimi i saj do të përbënte një eskalim të konsiderueshëm të konfliktit.
„Këto janë mjete propagandistike me qëllim frikësimin e popullit iranian. Kombi iranian është 'babai i të gjitha bombave'“, deklaroi të shtunën komandanti ushtarak iranian Alireza Sheik.
Iran njoftoi një doktrinë të re ushtarake më sulmuese, që nënkupton se vendi nuk do të presë një sulm, por mund të kryejë goditje parandaluese. Javën e kaluar, profile në rrjetet sociale të lidhura me Gardën Revolucionare publikuan video nga ushtrime ushtarake të zhvilluara në të gjithë vendin, duke përfshirë lansimin simultan të 30 raketave balistike.
Farzin Nadimi, bashkëpunëtor i lartë në Institutin në Uashington, mendon se nëse Teherani ndihet mjaftueshëm i sigurt, mund të përdorë raketat e tij të reja me rreze të gjatë kundër Evropës. Objektivat potenciale mund të përfshijnë forcat amerikane në bazat ajrore në Angli ose qendrën logjistike Ramstein në Gjermani – baza më e madhe ushtarake amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara.
„Megjithatë, Irani ndoshta do ta ruante këtë opsion për një skenar që përfshin eskalim maksimal“, tha Nadimi.
Më herët këtë muaj, SHBA tërhoqën të gjithë bombarduesit strategjikë nga Mbretëria e Bashkuar dhe i kthyen në bazat në SHBA për shkak të një kërcënimi të ri, të paqartë. Disa ditë më parë, autoritetet britanike arrestuan disa persona të lidhur me një komplot të dyshuar iranian. Objektivi i komplotit ishte një bazë ajrore britanike ku ishin stacionuar avionë amerikanë.




