Mojsoska në Kinë në takim me ish-deputeten që është kundërshtare e Marrëveshjes së Prespës dhe gjenocidit në Gaza

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, deputetja nga Levica, Jovana Mojsoska, zhvilloi një takim me ish-deputeten nga Die Linke, Sevim Dagdelen, e njohur për kritikën e saj të pakompromis ndaj NATO-s, nënshtrimit të BE-së ndaj interesave të SHBA-së dhe militarizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, njoftuan nga partia Levica.
"Dagdelen në vitin 2018 në Bundestagun gjerman votoi kundër ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke theksuar se referendumi i dështuar me pjesëmarrje vetëm 37% nuk siguroi një mandat bindës demokratik për zbatimin e marrëveshjes. Dagdelen është gjithashtu një kundërshtare e zëshme e agresionit ushtarak izraelit dhe gjenocidit ndaj popullit palestinez në Gaza, si dhe mbështetjes perëndimore që mundëson vazhdimin e agresionit izraelit. Ajo është deputetja e parë që vizitoi Julian Assange në ambasadën e Ekuadorit në Londër dhe udhëhoqi fushatë kundër ndjekjes së tij penale", thanë nga Levica.
Nga partia theksojnë se Sevim Dagdelen është edhe kritike e ashpër e politikës së sigurisë së BE-së, e cila, siç shkruhet në njoftimin e Levicës, në vend që të veprojë si një faktor politik i pavarur – ndjek interesat strategjike të Uashingtonit.
"Ky takim konfirmon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar me forca politike që kundërshtojnë blloqet ushtarake, shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe standardet e dyfishta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Levica angazhohet për një botë multipolare ku sovraniteti i kombeve nuk matet sipas vullnetit të fuqive të mëdha, paqja nuk ndërtohet me armë – dhe e drejta e popujve për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre është vlera më e lartë civilizuese", njoftuan nga partia.



