FBI paralajmëroi: Kujdes me frigoriferët tuaj

Pas sulmeve të ngjashme nëpër Evropë, SHBA gjithashtu paralajmëroi për një "kërcënim të përhershëm kibernetik" për sistemet industriale të ftohjes.
"Nëse kjo dobësi shfrytëzohet me sukses, sulmuesit mund të ndryshojnë temperaturën, gjë që potencialisht mund të çojë në pasoja fizike, si rreziku i zjarrit, humbja e stokut dhe ndryshimet në jetën e punës së vetë sistemit", thuhet në deklaratën e lëshuar nga FBI, agjencia për sigurinë kibernetike CISA dhe institucione të tjera qeveritare, transmeton Reuters.
Në deklaratë shtohet se aktorë të panjohur "kibernetikë keqdashës" synojnë dobësitë në kontrollorët elektronikë të temperaturës dhe sistemet tregtare të ftohjes, të aksesueshme përmes internetit, të përdorura në dyqanet ushqimore dhe objektet frigoriferike.
"Çdo organizatë që varet nga sistemet e ftohjes dhe mbikëqyrjes duhet të supozojë se mund të jenë objektiv", tha Chris Butera, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv për sigurinë kibernetike në CISA.
Më herët këtë javë, përfaqësues të zinxhirëve evropianë të shitjes me pakicë njoftuan se në më shumë se 70 dyqane dhe supermarkete në Belgjikë, Luksemburg dhe Suedi, temperatura në frigoriferë dhe ngrirës ishte rritur nga një sulm hakerash, dhe ushqimi i ruajtur aty ishte hedhur për të shmangur rreziqet e sigurisë.
Në Francë, hakerat rritën temperaturën në frigoriferët e shërbimit francez të transfuzionit të gjakut nga -30 gradë Celsius në 110 gradë, sipas Institutit Francez për Transfuzionin e Gjakut.



