„Do t’ju mungojë gazi në mes të dimrit, po shpenzoni rezervat me ritëm rekord“: paralajmërim për Evropën

Evropa ka nisur sezonin e tërheqjes së gazit nga depot nëntokësore menjëherë me një ritëm të madh, gjë që krijon rreziqe për furnizimin e sigurt të konsumatorëve gjatë dimrit, njoftoi "Gazprom".
-Gazi tashmë po tërhiqet nga depot evropiane me shpejtësi të madhe. Sasia e tërhequr më 28 dhe 29 tetor, si dhe më 1 dhe 2 nëntor, ishte më e madhja për ato data që nga fillimi i mbajtjes së evidencës, njoftoi "Gazprom".
Kompania shtoi se shkalla e lartë e tërheqjes së gazit në fillim të sezonit krijon kushte për uljen e sasive maksimale ditore që depot mund të furnizojnë gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, veçanërisht gjatë kërkesës më të madhe dimërore.
"Kjo rrit rreziqet për furnizimin e sigurt me gaz të konsumatorëve", paralajmëroi kompania.
Sipas të dhënave të organizatës "Gas Infrastructure Europe", mbushja e depot evropiane nëntokësore në fillim të sezonit të tërheqjes së gazit, më 28 tetor, ishte në nivel historikisht të ulët dhe arriti në 74.9 përqind. Që nga ajo ditë, ky tregues vazhdon të ulet.
Në të njëjtën kohë, në shumë vende evropiane që janë udhëheqëse në kapacitetet e magazinimit, si Gjermania, Holanda dhe Austria, mbushja e depot më 28 tetor ishte shumë nën 70 përqind. Për herë të parë, Gjermania nisi sezonin e tërheqjes së gazit me rezervat kaq të ulëta – vetëm 61.6 përqind, që është një rekord historik, theksoi "Gazprom".
Më herët në nëntor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi mundësinë që rezervat në depot evropiane nëntokësore të bien nën 10 përqind të kapacitetit të tyre total deri në fund të këtij sezoni ngrohjeje.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, depot nëntokësore luajnë një rol kyç në sigurimin e furnizimit të sigurt me gaz për Evropën, pasi gjatë dimrit mbulojnë deri në një të tretën e nevojave të Bashkimit Evropian. Rregullorja për magazinimin e gazit, e miratuar në qershor 2022 me qëllim përgatitjen më të mirë për sezonin dimëror të ngrohjes, vendosi që vendet e BE-së të mbushin depot me kapacitet deri në 90 përqind deri më 1 nëntor.



