Franca përgatitet për protesta masive, Macron frikësohet nga përsëritja e trazirave

Qindra mijëra qytetarë pritet të dalin sot në protesta nëpër Francë, ndërsa punonjësit në sektorin publik kanë paralajmëruar grevë për shkak të kostove të larta të jetesës, gjendjes në shërbimet publike dhe arsimin. Autoritetet franceze do të dislokojnë rreth 70,000 policë për të parandaluar përsëritjen e trazirave të dhunshme të muajit të kaluar, raporton "Reuters".
Protestat organizohen nga sindikatat, përfshirë edhe CGT-në e majtë, me mbështetjen e shoqatave studentore. Sipas vlerësimeve të shërbimeve të inteligjencës franceze, vetëm jashtë Parisit në demonstrata mund të marrin pjesë midis 500,000 dhe 700,000 njerëz.
Autoritetet frikësohen nga përsëritja e ngjarjeve të 17 tetorit, kur gjatë trazirave u plaçkitën dhe u dëmtuan dyqane dhe objekte publike në të gjithë vendin.
"Jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm sepse nuk është e pranueshme të përjetojmë përsëri 17 tetorin", deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Mod Brezhon.
Pritet që greva të shkaktojë ndërprerje në transportin hekurudhor dhe publik, si dhe në arsim. Ministria e Arsimit njoftoi se pritet që në grevë të marrin pjesë 17.5 për qind e mësuesve në shkollat fillore shtetërore. Bashkimet sindikale të sektorit energjetik gjithashtu kanë paralajmëruar bashkim.
Presidenti francez Emmanuel Macron dje mbajti një takim të përkushtuar mbrojtjes dhe sigurisë, në përpjekje për të parandaluar një valë të re dhune. Lëvizja protestuese, e cila filloi për shkak të pakënaqësisë së studentëve ndaj kushteve në arsim, është shndërruar në një sfidë më të gjerë për qeverinë e tij, pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale.
Protestat e së shtunës së kaluar kaluan kryesisht paqësisht, me disa përplasje të vogla, por tensionet politike në vend mbeten të larta.



