Kryeministri britanik dëshiron të hapë debat për rikthimin e lëvizjes së lirë të punëtorëve nga BE-ja

Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se dëshiron të hapë një debat për mundësinë e rikthimit të rregullave të Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë të punëtorëve, çështje që ishte ndër temat kryesore të referendumi për Brexit në vitin 2016, pas të cilit Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohet nga Bashkimi.
Në një intervistë për "Sunday Times", Burnham tha se fluksi i punëtorëve nga BE në Mbretërinë e Bashkuar para Brexit përbënte një sfidë serioze, por njëkohësisht vlerësoi se ky lloj migrimi mund të ketë qenë më pak i rëndë se format e tjera të emigracionit.
"Migrimi sipas parimit të dyerve të rrotulluara, kur njerëzit vijnë dhe pastaj kthehen në shtëpi, është diçka krejtësisht ndryshe. Balanca e migracionit që atëherë ka ndryshuar, apo jo? Mendoj se thjesht duhet të flasim hapur dhe sinqerisht për këto çështje", deklaroi Burnham.
Të dhënat zyrtare tregojnë se migracioni neto afatgjatë në vitin 2025 është ulur në një nivel afër atij pas Brexit, kur u vendos sistemi i ri i emigracionit, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2021.
Në shtator, dy muaj pasi zëvendësoi Keir Starmer në krye të Partisë Laburiste dhe qeverisë britanike, Burnham deklaroi se Mbretëria e Bashkuar duhet të shqyrtojë mundësitë për rishikimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, përfshirë edhe mundësinë që vendi të bashkohet përsëri me Bashkimin në të ardhmen.
Lëvizja e lirë
Burnham më parë mbështeste premtimet e qeverisë së Starmer, përfshirë mundësinë e rikthimit të lëvizjes së lirë. Brukseli e vendos këtë çështje si kusht për pjesëmarrjen në tregun e vetëm të BE-së.
Në intervistën për "Sunday Times", e cila u regjistrua më 19 tetor, Burnham theksoi se lëvizja e lirë duhet të shqyrtohet si pjesë e një analize më të gjerë të marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. Ai theksoi se debati duhet të përfshijë edhe çështje si shkëmbimi i të dhënave dhe migracioni.
"Kjo duhet të shihet në një kontekst më të gjerë, dhe jo në mënyrë të izoluar, me fokus ekskluziv në lëvizjen e lirë", tha Burnham.
Kryeministri britanik, i cili kërkon mënyra për të përshpejtuar rritjen ekonomike në vend, më 20 nëntor do të takohet me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian në një samit.
Tregu i vetëm
Burnham deklaroi se është e pamundur të propozojë që Mbretëria e Bashkuar të adoptojë euron ose të bashkohet me rregullat e BE-së për udhëtimin pa kontrolle kufitare.
Për rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian do të ishte i nevojshëm një referendum i ri, por kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërisht rasti për anëtarësimin eventual në tregun e vetëm ose unionin doganor, transmetoi "Sunday Times", duke iu referuar deklaratave të Burnham.
Ish-ministri britanik i financave nga Partia Konservatore, Jeremy Hunt, i cili në vitin 2016 mbështeste qëndrimin e vendit në BE, vlerësoi se hapja e përsëritur e një prej çështjeve kryesore të referendumit do të ishte e gabuar. Ai paralajmëroi gjithashtu se lehtësimi i rregullave të emigracionit mund t'u dëmtojë njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar.
"Mendoj se kjo do të ishte një goditje e rëndë për përpjekjet për të nxitur njerëzit që të dalin nga sistemi i ndihmës sociale dhe të hyjnë në tregun e punës", deklaroi Hunt për "Sky News".



