E enjte, 22 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Qipro kërkon nga BE-ja të rihapë debatin për mbrojtjen e përbashkët

22.10.2026, 12:56

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ka dërguar një letër kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku kërkon nga Bashkimi Evropian që të rihapë debatin për klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë, njoftoi "Politico".

"Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e kësaj dispozite për BE-në dhe vendet anëtare, veçanërisht në kohë pasigurie gjeopolitike", ka shkruar Christodoulides në letrën e dërguar më 20 tetor.

Ai ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve në organet kompetente të BE-së, si dhe informacion për propozimet që po shqyrtohen dhe kornizën kohore për hapat e ardhshëm.

Bëhet fjalë për nenin 42, paragrafi 7 i Marrëveshjes së Lisbonës, sipas të cilit, në rast të një sulmi të armatosur ndaj një vendi anëtar, të tjerët janë të detyruar t'i ofrojnë ndihmë dhe mbështetje me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.

Interesi për këtë dispozitë është rritur për shkak të kërcënimeve në rritje gjeopolitike, duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, kërcënimet hibride ndaj BE-së, luftërat në Lindjen e Mesme dhe tensionet në marrëdhëniet transatlantike.

BE-ja në fillim të vitit ka testuar përmes ushtrimeve se si do të funksiononte klauzola në praktikë. Tema ka qenë prioritet edhe gjatë kryesimit të Qipros në Këshillin e BE-së, që përfundoi më 30 qershor, veçanërisht pas sulmit me dronë iranianë mbi një bazë britanike në Qipro në mars.

Sidoqoftë, debati është vënë në plan të dytë pasi Bashkimi është i fokusuar në negociatat për buxhetin shtatëvjeçar prej gati dy trilionë eurosh dhe sigurimin e fondeve shtesë për Ukrainën. Sipas një përfaqësuesi anonim të BE-së, çështja për momentin nuk është në rendin e ditës për samitet e ardhshme të liderëve evropianë.

Lajme të ngjashme