Probleme të reja për Sanchez para zgjedhjeve, Komisioni Zgjedhor nisi procedurë kundër tij

Komisioni Qendror Zgjedhor i Spanjës ka nisur një procedurë disiplinore kundër kryeministrit, Pedro Sanchez, për shkak të një konference për shtyp të mbajtur më 6 tetor, ku ai njoftoi një ligj të ri për banesat, raporton "Reuters", duke iu referuar shërbimit të shtypit parlamentar.
Procedura është nisur pas ankesës së Partisë Popullore opozitare (PP), e cila pretendon se Sanchez ka përdorur ambientet dhe burimet qeveritare për të dërguar mesazhe parazgjedhore.
Komisioni Zgjedhor ka kërkuar që deklaratat kontestuese të hiqen nga kanalet zyrtare qeveritare dhe i ka kërkuar kryeministrit të përmbahet nga paraqitje të ngjashme gjatë fushatës zgjedhore.
Procedura vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 29 nëntor, të cilat Sanchez i shpalli pasi propozimet e tij për banesat nuk morën mbështetje në parlament.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri spanjoll ndëshkohet nga Komisioni Zgjedhor. Në janar 2020 ai u gjobit me 500 euro për një intervistë televizive të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, ndërsa në tetor 2023 mori një gjobë prej 2,200 eurosh për promovimin e arritjeve qeveritare dhe kritika ndaj kundërshtarëve politikë gjatë fushatës parazgjedhore.



