BE frikësohet nga mungesa e gazit këtë dimër, Von der Leyen propozon rezervat strategjike

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka propozuar udhëheqësve të Bashkimit Evropian të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të rezervave strategjike të përbashkëta të gazit natyror, për shkak të frikës se Europa mund të përballet me mungesë gjatë dimrit, raportoi "Politico", duke u thirrur në diplomatë dhe përfaqësues të BE-së.
Depozitat evropiane të gazit këtë vit janë në nivel rekord të ulët. Çmimet e larta verore, të shkaktuara nga lufta në Iran, kanë ulur fitueshmërinë e magazinimit të gazit për kompanitë tregtare, për këtë arsye Bashkimi hyn në periudhën dimërore me rezervat e pamjaftueshme.
Von der Leyen e ka prezantuar propozimin në samitin e udhëheqësve evropianë në Bruksel. Aktualisht nuk është e qartë se si do të funksionojë mekanizmi i ri, por sipas një përfaqësuesi të lartë të BE-së, qëllimi është mbrojtja afatgjatë nga ndërprerjet në furnizim, sipas shembullit të rezervave ekzistuese shtetërore të naftës.
Disa vende tashmë po marrin masa të tyre. Holanda ka ndarë pothuajse një miliard euro për subvencionimin e blerjes së energjenteve, ndërsa Gjermania po mendon për krijimin e rezervave strategjike kombëtare.
Ndërkohë, sipas dy diplomatëve, një propozim tjetër i Komisionit Evropian për blerje të përbashkët të energjisë nuk ka marrë mbështetje nga udhëheqësit evropianë.



