Miliona familjesh në Evropë mund të ndiejnë pasojat e mungesës së gazit

Bashkimi Evropian mund të përballet me mungesë të gazit natyror deri në 14 miliardë metra kub këtë dimër, që korrespondon me rreth shtatë për qind të kërkesës së bllokut dhe sasinë e energjisë të mjaftueshme për furnizimin e mes 10 dhe 12 milionë familjeve, paralajmërojnë raportet e Institutit për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA) dhe Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Gazit (ENTSO-G).
Mungesa e gazit mund të çojë në rritje të mëtejshme të faturave të energjisë dhe masa për reduktimin e konsumit nëse BE-ja nuk siguron sasi shtesë në tregun global, i cili tashmë është nën presion për shkak të luftës në Iran dhe ndërprerjeve në furnizimin me produkte energjetike, raportoi gazeta briseles "Politico".
Rezervat e gazit në BE ranë në pak më shumë se 70 për qind të kapacitetit, që është niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2011.
Deficiti nuk do të thotë domosdoshmërisht se BE-ja do të mbetet pa gaz, por sasia e energjisë së magazinuar mund të jetë shtatë miliardë metra kub më pak se ajo që nevojitet.
Kjo do t'i detyronte vendet të blejnë gaz me çmime të larta në një treg global të paqëndrueshëm ose të kufizojnë konsumimin nëse nuk ka furnizime shtesë të disponueshme.
Nëse vendet duhet të shfrytëzojnë pjesën më të madhe të rezervave të tyre këtë dimër, do të duhet të kompensojnë për sasi më të mëdha gazi vitin tjetër, gjë që mund të zgjasë periudhën e rezervave të ulëta dhe çmimeve të larta.
Raporti i ENTSO-G për perspektivat e furnizimit gjatë dimrit 2026/2027 paralajmëron se, në rast të importit të kufizuar të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një dimri të ftohtë, niveli i magazinimit mund të ulet në 11 për qind.
Kjo është një nivel bazë i rezervave strategjike që nuk mund të përdoret lehtë.
Për të rikthyer rezervat në 30 për qind deri në fund të dimrit dhe për të reduktuar ekspozimin ndaj valëve të ftohta të ardhshme, vendet evropiane do të duhet të ulin konsumimin ose të kufizojnë disponueshmërinë e sasive që korrespondojnë me shtatë për qind të kërkesës, thuhet në raport.
Presion shtesë paraqet ndalimi i kontratave afatgjata për furnizim me gaz natyror të lëngshëm rus, i cili pritet të hyjë në fuqi në janar dhe të ulë importet evropiane për shtatë miliardë metra kub të tjerë.
Gazi rus më parë shërbente për mbulimin e kërkesës së rritur gjatë dimrit, ndërsa Evropa tani mbështetet më shumë në magazinim, njoftoi IEEFA.
Kërkesa për gaz gjatë dimrit është rritur në dy vitet e fundit, ndërsa importet kanë mbetur të pandryshuara, prandaj BE-ja po shpenzon gjithnjë e më shumë sasi të magazinuara.



