E premte, 16 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Dronët ukrainas dogjën një rafineri ruse, Putin paralajmëroi përgjigje

15.10.2026, 20:57

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës nuk shkaktuan dëme të konsiderueshme, por paralajmëroi se Moska do të përgjigjet ndaj sulmeve, njoftoi agjencia "Interfax".

"Godasin këtu e atje, asgjë veçanërisht serioze. Megjithatë, vazhdojnë", tha Putin.

Deklarata e tij vjen pasi sot në mëngjes një sulm i madh ukrainas me dronë shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në rajonin rus të Rjazanit.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak deklaroi se Ukraina kishte sulmuar rafineri nafte në rajonet e Saratovit dhe Rjazanit, megjithëse Kievi mohoi çdo përfshirje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për "Financial Times", botuar sot, tha se Ukraina kishte ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike për tre ditë për të përmbushur kërkesat e SHBA-së, por tani do t'i rifillojë ato pasi Rusia vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike ukrainase.

"Dëmet materiale po vlerësohen aktualisht. Shërbimet emergjente janë në terren", shkroi guvernatori i rajonit të Rjazanit, Pavel Malkov, në Telegram, duke komentuar sulmin ndaj rafinerisë.

Ai shtoi se në sulme u dëmtua edhe një depo në një vend tjetër, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Rafineria në Rjazan është në pronësi të gjigandit rus të naftës "Rosneft" dhe furnizon Moskën me karburant. Gjatë muajve të fundit është bërë objekt i disa sulmeve me dronë.

Kjo rafineri kontribuon me pothuajse pesë për qind në kapacitetin total rus për përpunimin e naftës.

Lajme të ngjashme