Rusia rrit eksportin e naftës përmes Arktikut

Eksporti rus i naftës përmes Rrugës Detare Veriore këtë vit është rritur për gati 50 për qind krahasuar me vitin 2025, ku nga fillimi i sezonit të lundrimit në korrik deri në mes të tetorit janë dorëzuar në Azi rreth 20 milionë fuçi naftë, tregojnë të dhënat dhe informacionet nga tregtarët që transmeton Reuters.
Rruga Detare Veriore është një korridor detar rreth 5.600 kilometra i gjatë, i cili kalon përgjatë bregut verior të Rusisë nëpër Oqeanin Arktik dhe mundëson transportin e mallrave drejt tregjeve aziatike.
Megjithëse për shkak të akullit tradicionalisht konsiderohet një rrugë më e rrezikshme dhe më e shtrenjtë, këtë vit është bërë më tërheqëse për shkak të ndërprerjeve në trafikun detar përmes Kanalit të Suezit, Ngushticës Hormuz dhe Detit të Zi.
Sipas tregtarëve, në kushtet e kostove rekord të larta për transportin me tankerë, rruga arktike është bërë më e lirë se rruga e zakonshme drejt Azisë përmes Detit të Kuq, pavarësisht nevojës për shoqërim nga thyerësit e akullit.
Për Rusinë, kjo rrugë përfaqëson edhe një alternativë ndaj ujërave evropiane, ku këtë vit janë sekuestruar disa tankerë rusë, raporton Reuters.
Sipas vlerësimeve paraprake, deri në fund të sezonit të lundrimit Rusia mund të dorëzojë pesë deri në dhjetë milionë fuçi naftë shtesë. Për krahasim, gjatë gjithë sezonit të vitit të kaluar përmes Rrugës Detare Veriore u transportuan 13 milionë fuçi.
Kompania "Gazprom Neft" ka njoftuar rritje të dorëzimeve përmes kësaj rruge për rreth 35 për qind, ndërsa "Rosneft" ka filluar dorëzimet e naftës nga projekti i madh "Vostok Oil".
Përmes Arktikut Rusia eksporton edhe gaz natyror të lëngshëm (LNG), dhe kompania "Novatek" po zgjeron flotën me tankerë të përshtatur për lundrim në kushte akulli.
Presidenti rus Vladimir Putin në shtator deklaroi se deri në vitin 2030 volumi i transportit mallrash përmes Rrugës Detare Veriore duhet të dyfishohet dhe të arrijë në 70 milionë tonë në vit.



