Tetë persona u vranë në Natën e Halloween-it në SHBA, policia në kërkim të sulmuesve

Të paktën tetë persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën në një seri të qëllimeve me armë zjarri që ndodhën në disa qytete amerikane gjatë fundjavës së Natës së Halloween-it. Numri më i madh i viktimave ishte në Dallas, Teksas, ku katër persona vdiqën dhe 15 u plagosën në tre incidente të ndara me armë zjarri, raporton AP.
Shumica e qëllimeve me armë ndodhën në lagje të njohura për jetën e natës dhe në qytete universitare, ku gjatë fundjavës u mblodhën grupe të mëdha njerëzish. Autoritetet federale në SHBA njoftuan se sot do të prezantojnë masa që po ndërmerren si përgjigje ndaj qëllimeve me armë në Dallas.
Policia në disa qytete ende po kërkon të dyshuarit dhe po punon për të përcaktuar motivet pas sulmeve.
Incidentet më vdekjeprurëse ndodhën në lagjen "Deep Ellum" në Dallas, një zonë e njohur për barët, restorantet dhe klubet e saj. Tre qëllime ndodhën dje herët në mëngjes, brenda një periudhe kohore prej vetëm një ore e 15 minutash. Katër persona vdiqën dhe 15 u plagosën.
Kreu i policisë së Dallasit, Daniel Como, deklaroi se hetuesit ende përpiqen të përcaktojnë nëse qëllimet janë të lidhura dhe çfarë i shkaktoi ato. Policia kishte rritur tashmë praninë e saj në atë lagje para sulmit, pasi aty kishte pasur më parë incidente dhune. Në shkurt, dy persona u qëlluan me thikë deri në vdekje gjatë një konflikti para një klubi nate, dhe në maj, një anëtar i sigurisë u vra ndërsa përpiqej të ndërpriste një përleshje në një klub tjetër.
Në Jackson, kryeqytetin e shtetit amerikan Mississippi, dy persona vdiqën dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një qëllim me armë gjatë një feste për Natën e Halloween-it. Sipas policisë, dy burra me maska hynë në një klub nate dje herët në mëngjes. Në një moment, njëri prej tyre filloi të qëllonte ndaj të pranishmëve.
Në Bloomington, një qytet universitar në shtetin amerikan Indiana, shtatë persona u plagosën në një qëllim me armë që ndodhi dje herët në mëngjes, afër kampusit të Universitetit të Indianës. Incidenti ndodhi në një lagje të frekuentuar plot bare dhe klube nate. Aktualisht, policia nuk beson se ndonjëri nga të plagosurit ishte student. "Kjo është e papranueshme në Bloomington, ashtu si në çdo komunitet tjetër", tha kryebashkiakja Kerry Thomson në një mesazh video të publikuar në rrjetet sociale. Ajo shtoi se edhe numri i shtuar i oficerëve të policisë nuk mund të parandalojë çdo akt dhune.
Në Birmingham, qytetin më të madh në shtetin jugor amerikan Alabama, një person vdiq dhe tetë të tjerë u plagosën në dy incidente të ndara me armë pas ndeshjes tradicionale të futbollit kolegjial të njohur si "Magic City Classic". Kreu i policisë së Birminghamit, Michael Picket, tha se shumica e spektatorëve dhe familjeve kishin lënë stadiumin para se të ndodhnin qëllimet. Incidenti i parë ndodhi pranë stadiumit, në bulevardin Greymont, ku ishin vendosur stenda për shitje.
Gjatë fundjavës, qëllime me armë u raportuan edhe në Fayetteville (Arkansas), Newark (Delaware) dhe Bloomington (Illinois).
Edhe pse fundjava u shënua nga një seri qëllimesh vdekjeprurëse, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i krimeve të dhunshme në SHBA ka rënë në vitet e fundit. Sipas FBI-së, shkalla e vrasjeve vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët në 75 vitet e fundit. Numri i vrasjeve u ul me 18 për qind, ndërsa numri total i krimeve të dhunshme me 9.3 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Studimet e kryera mbi bazën e të dhënave nga policia dhe spitalet tregojnë se qëllimet me armë janë më të shpeshta natën, gjatë fundjavave dhe gjatë festave. Ndër periudhat me rritje të incidenteve, veçanërisht dallohen Dita e Pavarësisë së SHBA-së (4 korrik), Viti i Ri dhe Nata e Halloween-it.



