Trump përgatitet për humbje, paralajmëron falje për bashkëpunëtorët – përfshirë edhe Musk

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se është i gatshëm të japë falje parandaluese për bashkëpunëtorët e tij, me qëllim që t'i mbrojë nga ndjekja penale e mundshme, nëse demokratët marrin kontrollin mbi Kongresin pas zgjedhjeve kongresuale të nesërme. Ai gjithashtu nënkuptoi se do ta mbrojë miliarderin Elon Musk, nëse ai bëhet objekt i hetimeve.
Trump dha këto deklarata gjatë një interviste me gazetarën Miranda Devine për podcastin „Pod Force One“, i cili u publikua sot, një ditë para zgjedhjeve amerikane të mesmandatit.
Kur u pyet nëse do t'i falte parandaluese individët që kanë shërbyer në administratën e tij, nëse përballen me kërcënim ndjekjeje penale, ai u përgjigj: „Do ta bëja, nëse është e nevojshme. Sigurisht.“
Kur gazetarja vazhdoi me pyetje, duke u interesuar nëse do ta zgjerojë këtë mbrojtje për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Trump ishte edhe më i vendosur.
„Nuk do të më duhej as të mendoja për këtë. Thjesht do ta bëja“, tha ai.
Në këtë kontekst, Trump theksoi se pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, kishte falur rreth 1,500 persona të lidhur me sulmin në Kapitolin amerikan më 6 janar 2021.
Ai u ndal veçanërisht te Elon Musk, pronari i „Tesla“ dhe „SpaceX“, i cili gjatë mandatit të dytë të Trump-it kishte marrë pjesë në punën e administratës amerikane dhe kishte udhëhequr iniciativën për uljen e shpenzimeve shtetërore, e njohur si DOGE.
Pyetur për mundësinë që demokratët të nisin hetime kundër Musk ose të përpiqen t’i sekuestronin pasurinë, Trump u përgjigj se këto janë vetëm fjalë për momentin.
„Këto janë vetëm histori boshe. Por, nëse ndodh, do të duhet t’i mbrojmë“, deklaroi ai.
Në këtë kontekst, Trump hodhi poshtë mundësinë e nacionalizimit të „SpaceX“ – një ide që e kanë përmendur disa politikanë demokratë. Ai përmendi edhe Edward Koristin, një bashkëpunëtor i ri që ka punuar në projektin DOGE të Musk.
Në periudhën para zgjedhjeve, Musk ishte një nga mbështetësit më të rëndësishëm financiarë të republikanëve. Sipas „Axios“, ai ka shpenzuar gati gjysmën e miliardit dollarë gjatë këtij cikli zgjedhor për aktivitete politike kundër demokratëve.



