Trumpi shpallet „grabës i lirisë së shtypit“: në listë është edhe Putini

Organizata „Reporterët pa Kufij“ (RSF) përfshiu presidentin amerikan Donald Trump në listën e saj për vitin 2026 të „grabësve të lirisë së shtypit“, duke e akuzuar se ka forcuar fushatën e tij kundër mediave pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë presidencial.
RSF e akuzon Trumpin se përdor qëllimisht autoritetet e funksionit të tij për të targetuar organizatat mediatike të cilave nuk u pëlqen raportimi i tyre.
Shtetet e Bashkuara ndodhen tani në vendin e 64-të nga gjithsej 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF. Trump shfaqet në listë së bashku me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping. Lista u publikua të hënën me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Vënien Fund të Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve – datë e njohur nga Kombet e Bashkuara.
Lista prej 33 individësh dhe organizatash
Lista për vitin 2026 përfshin 33 individë dhe organizata që sipas RSF-së minojnë qëllimisht gazetarinë e pavarur.
Nga emrat e rinj është presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, të cilin RSF e akuzon për mbylljen e mediave të pavarura dhe arrestimin e gazetarëve. Në listë janë edhe ushtria izraelite, Partia Komuniste e Kinës, si dhe grupe kriminale në Meksikë. Në listë shfaqen edhe magnati francez i mediave Vincent Bolloré, si dhe miliarderi amerikan i teknologjisë Elon Musk.
Gjigantët amerikanë të teknologjisë „Alphabet“ dhe „Meta“ janë përfshirë për shkak të pozicionit të tyre dominues në tregun e reklamave digjitale, që sipas RSF-së vendos mediat nën presion ekonomik. Kjo listë publikohet në intervale të parregullta kohore që nga viti 2001. Ajo nuk është gjithëpërfshirëse, por ka për qëllim të paralajmërojë për individë dhe organizata që kufizojnë seriozisht lirinë e mediave.



