(Video) Polici i djegur gjatë trazirave në Paris: po hetohet tentativë për vrasje

Prokurorët francezë kanë nisur një hetim për tentativë për vrasje, pasi gjatë trazirave ndaj punonjësve të policisë u hodhën koktej molotov. Një video nga përplasja me demonstrues në Paris të shtunën, ku shihet një polic i kapur nga flaka, shkaktoi reagime të ashpra në publik. Ngjarja ndodhi pas disa javësh protestash në rrugë, ku pati edhe demonstrues të lënduar, transmeton BBC.
Ministri i Brendshëm: "Tentativë për vrasje"
Polici, i cili pësoi djegie në kyçin e këmbës dhe lëndime të lehta në dorë, për gazetën "Le Figaro" deklaroi se mjeti i përdorur ishte një pajisje djegëse "jashtëzakonisht e sofistikuar". Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, e përshkroi hedhjen e koktej molotov ndaj kordoni policor si "tentativë për vrasje", duke shtuar se policia po ndjek intensivisht autorët.
Të shtunën, qindra mijëra njerëz morën pjesë në protesta kryesisht paqësore në të gjithë Francën. Kjo lidhet me një seri demonstratash, të udhëhequra nga të rinjtë që nga fundi i shtatorit, përmes të cilave pjesëmarrësit kërkojnë nga autoritetet të përballen me kostot e larta të jetesës dhe gjendjen e keqe të shërbimeve publike, veçanërisht në sektorin e arsimit.



