OBSH: Bota nuk duhet të përsërisë gabimet nga pandemia e koronavirusit

Epidemitë vdekjeprurëse, si ajo e shkaktuar nga virusi Ebola "Bundibugyo" që aktualisht po përhapet në Afrikë, tregojnë sa urgjente është finalizimi i marrëveshjes ndërkombëtare për pandemitë, paralajmëroi sot kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë negociatave në Gjenevë.
Vendet e pasura dhe ato në zhvillim ende nuk kanë arritur marrëveshje se si do të zbatohet në praktikë marrëveshja, e cila u miratua vitin e kaluar me qëllim që bota të përgatitet më mirë për pandemitë e ardhshme, të ngjashme me atë të koronavirusit. Kur vendet miratuan marrëveshjen në maj 2025, ato lanë jashtë një nga çështjet më komplekse – saktësisht, se si do të funksionojë mekanizmi i saj kyç.
Bëhet fjalë për sistemin PABS, i cili rregullon shkëmbimin e mostrave dhe të dhënave për patogjenët e rrezikshëm, si dhe shpërndarjen e drejtë të produkteve të zhvilluara mbi bazën e tyre, si vaksinat, testet dhe barnat.
Tedros përmendi epidemitë e fundit të Ebolës dhe hantavirusit si shembull të rrezikut dhe theksoi se finalizimi i marrëveshjes është thelbësor për mbrojtjen e njerëzve.
"Kërcënimi nga një patogjen i rrezikshëm, kudo që të shfaqet në botë, mund të kthehet në kërcënim për njerëzit në çdo vend", tha ai.
"Shfaqja e hantavirusit më parë këtë vit, si dhe epidemia aktuale e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, na kujtojnë këtë rrezik", shtoi ai.
Tedros gjithashtu kujtoi problemet që u shfaqën gjatë pandemisë së koronavirusit, kur vaksinat nuk ishin të disponueshme në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet.
"Bota zhvilloi vaksina në kohë rekord, por shumë vende duhej të prisnin, ndërsa të tjerat siguruan shumë më tepër sesa u nevojitej", tha ai.
Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, i cili aktualisht është në leje të veçantë pasi kandidon për drejtor të përgjithshëm të organizatës, gjithashtu paralajmëroi për nevojën e një shpërndarjeje më të drejtë të vaksinave dhe barnave.
"Qasja në kohë në vaksina dhe barna të përballueshme ishte problem i përbashkët që anëtarët e vendeve e theksuan gjatë takimeve të mia në të gjashtë rajonet e OBSH-së", tha Kluge.
Ai shtoi se për këtë arsye është i nevojshëm një sistem që u mundëson vendeve të shkëmbejnë shpejt mostra dhe të dhëna për patogjenët e rrezikshëm, dhe në të njëjtën kohë siguron shpërndarje të drejtë të vaksinave, testeve dhe barnave të zhvilluara mbi bazën e tyre.
Në një postim në rrjetin social "X", ai gjithashtu paralajmëroi se bota nuk duhet të lejojë përsëritjen e pabarazive që karakterizuan pandeminë e koronavirusit.



