(Video) Aksident i rëndë në bazën ushtarake kanadeze: ka të vdekur dhe të plagosur, një zjarr i madh u përhap jashtë kompleksit

Shumë persona kanë humbur jetën, ndërsa një numër i madh është plagosur në një incident të rëndë në bazën ushtarake kanadeze Wainwright, pas të cilit shpërtheu një zjarr i madh që u përhap edhe jashtë kompleksit ushtarak.
Ministri kanadez i mbrojtjes, David McGuinty, të shtunën në mbrëmje konfirmoi se ka të vdekur dhe të plagosur, por nuk bëri të ditur sa persona kanë humbur jetën as çfarë saktësisht ka ndodhur.
"Më vjen keq që duhet të konfirmoj se në incidentin në bazë ka të vdekur dhe të plagosur", tha McGuinty, duke e vlerësuar situatën si jashtëzakonisht serioze dhe delikate.
Spitalet në Edmonton pranojnë të plagosurit
Të plagosurit janë dërguar në spitale në Edmonton, pasi kapacitetet shëndetësore në afërsi të Wainwright ishin të mbingarkuara.
Mjeku i shërbimit të urgjencës në spitalin "Royal Alexandra", Warren Tirske, për televizionin kanadez CBC tha se sistemi shëndetësor po përballet me një emergjencë të përmasave që ndodhin një herë në 15 deri në 25 vjet.
"Kjo është një katastrofë", tha Tirske, duke përshkruar shkallën e pacientëve që po vinin në spital.
Po hetohet nëse ka pasur shpërthim
Disa media kanadeze raportuan se incidentit i kishte paraprirë një shpërthim, por autoritetet deri tani nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.
Policia Mbretërore Kanadeze e Kalit njoftoi se të shtunën, pak pas orës 16:00 me kohën lokale, mori një raport për zjarr në një pjesë të bazës të dedikuar për stërvitje ushtarake.
Hetimin po e kryejnë ushtria kanadeze dhe policia. Deri tani nuk dihet nëse të gjithë të vdekurit dhe të plagosurit janë anëtarë të forcave të armatosura.
Zjarri u përhap jashtë bazës
Zjarri i madh ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe është përhapur përtej gardhit të kompleksit ushtarak. Era e fortë e ka vështirësuar më tej ndërhyrjen, ndërsa në disa pjesë të Albertës erërat arrinin deri në 100 kilometra në orë.
Në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë zjarrfikës nga vendbanimet përreth, ndërsa ndihmë ka ofruar edhe provinca fqinje Saskatchewan.
Derisa nuk është dhënë urdhër për evakuim të Wainwright, një qytet me rreth 6,600 banorë, që ndodhet menjëherë pranë bazës. Autoritetet lokale kanë thirrur qytetarët të shmangin zonën e prekur dhe të lënë rrugët të lira për shërbimet emergjente.
Qendër e rëndësishme trajnimi për ushtrinë kanadeze
Baza ushtarake Wainwright ndodhet rreth 200 kilometra nga Edmonton dhe përbën një nga qendrat kryesore të trajnimit të forcave tokësore kanadeze. Në të organizohen ushtrime ushtarake dhe përgatitje për operacione luftarake.
Kryeministri kanadez Mark Carney shprehu ngushëllime për familjet e të vdekurve dhe njoftoi se qeveria federale po bashkëpunon me autoritetet në Alberta dhe shërbimet lokale.
Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, e përshkroi ngjarjen si një tragjedi të madhe që ka goditur anëtarët e forcave të armatosura kanadeze.
Autoritetet paralajmëruan informacione shtesë pasi të përcaktohen shkaqet e incidentit dhe bilanci i saktë i të vdekurve dhe të plagosurve.



