(Video) Rreth 100 të arrestuar pas trazirave në Barcelonë, dyqane të plaçkitura dhe mbi 30 zjarre të ndezura

Rreth 100 persona u arrestuan mbrëmë në Barcelonë, pasi demonstrues të maskuar, që morën pjesë në një protestë kundër establishmentit, plaçkitën dyqane dhe dogjën pronë pranë sheshit qendror të qytetit, Plaza de Catalunya, njoftuan autoritetet katalanase.
Rreth 25 për qind e të arrestuarve janë të mitur, deklaroi Nuria Parlon, përgjegjëse për punët e brendshme në rajonin autonom të Katalonjës. Sipas saj, gjatë trazirave u shkaktuan më shumë se 30 zjarre, ndërsa 14 dyqane u vandalizuan ose plaçkitën.
Më parë në rrjetet sociale u publikuan thirrje për t'u bashkuar me lëvizjen "kundër sistemit". Në postime përdorej edhe slogani "Institut Indignats", i frymëzuar nga lëvizja franceze "Lycées Indignés", e cila në javët e fundit ka organizuar protesta të nxënësve në Francë. Emri mund të përkthehet si "nxënës të zemëruar".
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz të bllokuar në dyqane, përfshirë edhe në dyqanin e madh "El Corte Inglés", pasi u ulën roletat mbrojtëse për të parandaluar plaçkitjet.
Në video të tjera shihen demonstrues të veshur me të zeza, me kapuçë në kokë, duke thyer xhama dyqanesh dhe duke marrë mallra. Në raste të caktuara, përdorues që ndiqnin ngjarjet në internet i inkurajonin ata në këto veprime.
Kryetari i Bashkisë së Barcelonës, Jaume Colboni, deklaroi se aktet vandalike në qytet "nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar".
Ai paralajmëroi gjithashtu pasoja ligjore për kujdestarët e të miturve që morën pjesë në trazira.



