(Video) Të shtëna pranë universitetit në SHBA: gjashtë fëmijë janë plagosur, gjithsej 12 persona janë lënduar

Të paktën 12 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë plagosur në një të shtënë që ndodhi pardje në mbrëmje në Tallahassee – kryeqytetin e shtetit amerikan Florida – pranë Universitetit "Florida A&M", njoftuan autoritetet lokale, transmeton ABC.
Kreu i policisë në Tallahassee, Lawrence Revel, në një konferencë për shtyp deklaroi se 11 persona kanë marrë plagë nga të shtënat me armë zjarri.
"Gjashtë nga të plagosurit janë të rritur, dhe gjashtë janë të mitur. Viktima më e re është 11 vjeç. Të paktën tre nga të plagosurit kanë marrë plagë serioze, dhe një person është në gjendje kritike. Tetë nga të plagosurit janë në gjendje stabile", tha Revel.
Personi i vetëm mes të plagosurve që nuk ka plagë nga të shtënat është gjyshja e një prej viktimave. Sipas kreut të policisë, ajo u lëndua ndërsa përpiqej të ikte nga vendi i ngjarjes.
Policia njoftoi se gjashtë të plagosurit mbeten në spital, nga të cilët një është në gjendje kritike. Pesë persona, të cilët kanë marrë plagë nga të shtënat, janë liruar nga spitali.
Policia po punon për të identifikuar përgjegjësit për të shtënat dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë ndonjë informacion të kontaktojnë hetuesit. Ata kërkuan veçanërisht fotografi dhe video që mund të ndihmojnë në hetim. "Do të zbulojmë se çfarë ndodhi, do të identifikojmë përgjegjësit dhe do të gjejmë përgjigje për të gjitha viktimat, familjet e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi", deklaroi Revel.
"E dimë që ka njerëz që kanë parë ose dëgjuar diçka, ose ndoshta posedojnë incizime që mund të na ndihmojnë të përcaktojmë saktësisht se çfarë ndodhi", shtoi ai. Ai theksoi se ndihma nga publiku është thelbësore për hetimin.



