E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ambasada ruse: Akuzat e ANB-së ndaj vendit tonë për përhapje propagande në Maqedoni janë të pabaza

Ne i hedhim poshtë me vendosmëri akuzat e pabaza ndaj vendit tonë për përhapje të materialeve propagandistike, të cilat, siç pretendon njoftimi i Agjencisë për Siguri Kombëtare, kishin për qëllim "minimin e besimit në institucionet" dhe "nxitjen e urrejtjes dhe papajtueshmërisë etnike dhe kombëtare", reagojnë nga Ambasada e Rusisë në Maqedoni.

"Në Ambasadë u njohën me habi me njoftimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut më 1 tetor të këtij viti lidhur me zbulimin në vend të një 'rrjeti propagandistik që funksionon në interes të Rusisë'. Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave të përfshira në informacionin zyrtar të organit ekzekutiv të vendit pritës, Ambasada menjëherë iu drejtua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut me kërkesë për organizimin e një takimi të Ambasadorit të Rusisë me drejtuesit e MPJ-së dhe ANB-së, me qëllim marrjen e sqarimeve lidhur me thelbin e çështjes. Fatkeqësisht, deri më sot jo vetëm që takimi nuk është mbajtur, por as nuk është marrë përgjigje për notën përkatëse të Ambasadës", njoftuan nga ambasada.

Atje thonë se përpjekjet për t'i kaluar përgjegjësitë Rusisë për problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe disa prej partnerëve të saj potencialë nga BE-ja përbëjnë një përpjekje të pasuksesshme për të shpërqendruar opinionin maqedonas nga arsyet e vërteta të asaj që po ndodh.

"Në këto rrethana, duke marrë parasysh jehonën në opinionin publik të shkaktuar nga njoftimi i përmendur i ANB-së, si dhe karakterin e tij publik, Ambasada e konsideron të nevojshme të informojë popullin mik të Maqedonisë për sa vijon. Ne i hedhim poshtë me vendosmëri akuzat e pabaza ndaj vendit tonë për përhapje të materialeve propagandistike, të cilat, siç pretendohet në njoftimin e ANB-së, kishin për qëllim "minimin e besimit në institucionet" dhe "nxitjen e urrejtjes dhe papajtueshmërisë etnike dhe kombëtare". Shprehim mosmarrëveshje të vendosur me etiketimin e shkeljes së supozuar të disa neneve të Kodit Penal nga një shtetas maqedonas, i cili është subjekt i hetimit, si "aktivitet hibrid pro-rus"", thuhet në njoftim.

Nga Ambasada presin që Maqedonia të japë sqarime për akuzat dhe shprehën bindjen se ndjenjat miqësore që populli vëlla i Maqedonisë kultivon ndaj Rusisë mbeten të pandryshuara.

"Ne vazhdojmë të presim nga Maqedonia e Veriut që të japë sqarime lidhur me akuzat publike ndaj vendit tonë, siç kërkon praktika diplomatike e zakonshme dhe përgjegjësia e institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim, jemi të bindur se ndjenjat miqësore që populli vëlla i Maqedonisë kultivon ndaj Rusisë mbeten të pandryshuara. Jemi të sigurt se ai është në gjendje të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra dhe të nxjerrë përfundimet e duhura nga kjo histori", thanë nga ambasada e Rusisë.

Lajme të ngjashme