Audituesit zbuluan dobësi në sistemet IT, PIOH siguron se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta

Fondi i sigurimeve pensionale dhe invalidore (PIOH) pohon se një pjesë e madhe e mangësive në sigurinë informatike, të konstatuara nga auditimi i Zyrës Shtetërore të Auditimit (ZSA), tashmë janë tejkaluar, ndërsa disa nga rekomandimet janë realizuar plotësisht ose janë në fazë të avancuar të zbatimit. Nga Fondi sigurojnë se të dhënat personale të pensionistëve dhe të siguruarve nuk janë komprometuar.
Reagimi vjen pas publikimit të raportit të auditimit, në të cilin ZSA konstatoi dobësi në mbrojtjen e informacionit dhe sistemet IT të PIOH, mungesë të stafit profesional, pajisje të vjetëruara dhe mungesë të një strategjie gjithëpërfshirëse për sigurinë e informacionit.
"Me auditimin e kryer është përfunduar se zbatimi i masave parandaluese për sigurinë e informacionit në sistemin IT të Fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore ka dobësi që ndikojnë në nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes efektive të informacionit dhe burimeve IT me të cilat menaxhohen të dhënat e përdoruesve të cilët realizojnë të drejtat e tyre ekskluzivisht përmes Fondit", thuhet në njoftimin e ZSA-së.
Sipas auditorëve, nga 57 vendet e punës të parashikuara në Sektorin e Informatikës janë plotësuar vetëm 17, ndërsa në Njësinë e Infrastrukturës dhe Mbështetjes IT kishte vetëm një të punësuar nga 13 të parashikuar. U konstatua gjithashtu mungesë e përditësimeve të sigurisë, mbrojtje antivirus jo e azhurnuar dhe mungesë e planeve të miratuara për vazhdimësinë e punës dhe rikuperimin pas katastrofave.
Nga PIOH vlerësojnë se gjendjet e konstatuara janë pasojë e, siç theksojnë, "menaxhimit jo të përgjegjshëm, të papërgjegjshëm dhe të neglizhuar" të institucionit në periudhën deri në shtator 2024.
"Raporti i ZSA-së tregon qartë gjendjen e hasur: vite të politika të këqija, mungesë të strategjisë për sigurinë kibernetike dhe injorim të standardeve bazë të sigurisë", theksojnë nga Fondi.
Sipas njoftimit, gjatë viteve 2025 dhe 2026 janë realizuar investime në forcimin e sigurisë kibernetike, përfshirë edhe futjen e sistemeve moderne për zbulimin dhe monitorimin e kërcënimeve të sigurisë, përmirësimin e kontrolleve të aksesit dhe përditësimin e infrastrukturës së serverëve.
Nga Fondi theksojnë se në vitin 2025 kanë vendosur infrastrukturë rezervë për rikuperimin e të dhënave në një lokacion të veçantë, ndërsa deri në mes të vitit 2026 janë zëvendësuar dhe modernizuar mbi 100 stacione pune. Po ashtu pretendojnë se janë përditësuar procedurat e brendshme të sigurisë, dhe sektori IT është përforcuar me staf profesional.
PIOH njofton se bashkëpunon edhe me Bankën Botërore për forcimin organizativ dhe kadrovik dhe modernizimin e institucionit.
"Nuk ka pasur dhe nuk ka komprometim të të dhënave tuaja. Të dhënat e qytetarëve janë të sigurta, dhe Fondi bën gjithçka për të garantuar konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e tyre", përcjellin nga PIOH për pensionistët dhe të siguruarit.
Nga Fondi theksojnë se rekomandimet e auditimit i konsiderojnë si bazë për eliminimin e mangësive të mëparshme dhe për përmirësimin e mëtejshëm të sigurisë së informacionit.



