Bllokime për shantazh dhe pastrim parash, në zhvillim aksion policor

Po zhvillohet një aksion policor me bllokime në disa lokacione, në kuadër të hetimit për shantazh, pastrim parash dhe keqmenaxhim në shërbim, konfirmoi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga aty njoftuan se prokurori publik koordinon veprimet e punonjësve policorë nga Departamenti për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së.
"Bazuar në urdhërat e siguruara nga prokuroria kompetente po kryhen disa bllokime për sigurimin e provave lidhur me veprat penale 'shantazh', 'pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale' dhe 'keqmenaxhim në shërbim'", njoftuan nga Prokuroria.
Më parë sot, disa media raportuan se është vërejtur prani e shtuar policore në Kumanovë, ku po zhvillohet një aksion i drejtuar ndaj një grupi kriminal të organizuar. Sipas informacioneve, grupi që ka vepruar për një periudhë të gjatë në Kumanovë dhe rajonin më të gjerë lidhet me shantazh, huadhënie me interes, pastrim parash, kërcënime dhe shantazhe.



