Filipçe: Edhe Mali i Zi ia hoqi lejen për punë Alta Pay Group, vetëm tek ne Mickoski dhe Slaveski bindin se gjithçka është në rregull

"Mali i Zi, pas Serbisë, sapo ia hoqi lejen për punë Alta Pay Group, vetëm tek ne Mickoski dhe Slaveski i bindin qytetarët se gjithçka është në rregull", shkroi kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në rrjetin social X. Në postim, Filipçe theksoi se asgjë nuk është në rregull ashtu siç duan të paraqesin autoritetet maqedonase dhe kujtoi se LSDM që në dhjetor të vitit të kaluar paralajmëroi për dyshimet lidhur me bankën Alta, por Banka Popullore për muaj me radhë nuk ndërmori asgjë.
"Asgjë nuk është në rregull. Që në dhjetor të vitit të kaluar i thamë qytetarëve se kjo është një lavanderi parash e Vuçiçit. Deri dje Banka Popullore nuk lëvizi. Për ditë me radhë kërkojmë reagim – vetëm sot ka reagim të parë. Kompanitë lirshëm mund të transferojnë para. Qytetarët nuk mund. Njerëzit pa karta nuk mund të arrijnë te paratë e tyre sepse degët nuk punojnë. Shumë ATM janë bosh, dhe në të tjerët pritet me orë", thotë Filipçe.
Kryetari i LSDM-së thekson se nëse qëllimi është vërtet mbrojtja e kursimtarëve, duhet t'u lejohet atyre të disponojnë lirshëm me kursimet e tyre në tërësi, dhe jo të merren masa që depozitat e tyre të mbeten të bllokuara.
"Nëse dëshirohet të mbrohen kursimtarët, duhet t'u lejohet të tërheqin kursimet e tyre plotësisht. Jo. Kjo është masë për të mbrojtur kapitalin e kriminelëve, në kurriz të kursimtarëve të cilëve depozitat janë të bllokuara", thekson Filipçe.
Gjithashtu, Filipçe i bëri thirrje guvernatorit Slaveski të përgjigjet se sa para ka transferuar Vuçiç në Maqedoni dhe nëse ato para kanë mbetur këtu apo kanë vazhduar për në Moskë, duke theksuar se tani, kur kanë marrë kontrollin, institucionet nuk mund të justifikohen me mosdije.
"Guvernatori hesht, sa para ka transferuar Vuçiç në Maqedoni? A kanë mbetur këtu apo kanë vazhduar për në Moskë? Tani që kanë marrë kontrollin, nuk mund të thonë se nuk dinë", thotë Filipçe.
Ai shton se nëse banka është në "formë të shkëlqyer", siç pretendon kryeministri Mickoski, pse atëherë u ndalua pagesa për qytetarët.
"Nëse banka është në "formë të shkëlqyer", siç thotë Mickoski – pse u ndalua pagesa për qytetarët?", pyet kryetari i LSDM-së.
Në postimin në rrjetin social X, Filipçe kërkoi reagim urgjent nga policia dhe prokuroria dhe theksoi se institucionet duhet të veprojnë në interes të qytetarëve, jo të mbrojnë pushtetin.
"Policia dhe prokuroria të reagojnë urgjentisht. Keni dhënë betim se jeni në shërbim të qytetarëve, jo të kësaj mafie në pushtet. Do të përgjigjeni edhe ju nëse vazhdoni ta mbani këtë bandë", theksoi Filipçe.



