E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Kontrolli i brendshëm do të hetojë nëse policët sulmuan dy të rinj në Shkup

09.10.2026, 11:37

Pas raportimeve se më 7 tetor në rajonin e Shkupit, dy persona u sulmuan fizikisht nga punonjës policie gjatë veprimeve të tyre, ku sipas pretendimeve të tyre, iu dëmtua edhe automjeti, ministri i punëve të brendshme urdhëroi Departamentin për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale të hetojë rastin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se Departamenti po merr masa dhe aktivitete për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë eventuale të punonjësve policorë të përfshirë.

"Pas përcaktimit të gjendjes faktike do të merren masa të përshtatshme në përputhje me dispozitat ligjore, dhe publiku do të njoftohet në kohë", thanë nga MPB-ja.

DUI sot akuzoi se dy të rinj në moshë 21 dhe 23 vjeç u maltretuan brutalisht nga policia.

"Sipas informacioneve, në raportin e brendshëm policor thuhet se të rinjtë i morën armën një punonjësi policie, ndërsa sipas deklaratave të tyre, arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia i thyen xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policët qëlluan me armë zjarri, i prenë gomat e automjetit, dhe më pas i maltretuan, pasi iu lidhën duart dhe i shtrinë në tokë", thanë nga DUI.

Partia kërkon një hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e punonjësve policorë.

DUI gjithashtu kërkon dorëheqjen e zv.ministrit të punëve të brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi institucionale të plotë për këtë rast.

Lajme të ngjashme