LSDM: Mickoski flet për të ardhmen evropiane, por Maqedonia nuk përmendet në mesazhet e Marta Kos

Nga LSDM u drejtuan kritika ndaj kryeministrit Kristian Mickoski pas fjalimit të tij për 23 Tetorin, duke e akuzuar se në vend që të zbatojë reformat e nevojshme dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian, merret me çështje të së kaluarës.
Partia theksoi se komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në mesazhet e saj të fundit për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përmendi Maqedoninë, gjë që sipas tyre është tregues i ngecjes në rrugën evropiane.
LSDM kërkoi nga Mickoski që të përfundojë reformat dhe të mundësojë përparim drejt anëtarësimit në BE.
„Mickoski me rastin e 23 Tetorit tha se Maqedonia duhet të mbrojë të ardhmen, identitetin dhe interesat shtetërore. Ai tha se beson në të ardhmen evropiane, se vendi aty ndërtohet me reforma dhe institucione të forta, dhe se qytetarët janë lodhur nga pritja shumëvjeçare.
Këtë javë po ashtu komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos foli për të ardhmen evropiane të Ballkanit.
Mali i Zi e pozicionoi para fazës përfundimtare. Shqipërinë e ftoi të mbajë ritmin e reformave. Për Serbinë theksoi zgjedhjet si çelës. Nga Kosova kërkoi respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Maqedonia nuk u përmend.
Mbrojtja e identitetit nuk matet me fjalime. Matet me atë nëse vendi përparon apo qëndron në vend.
Von der Lajen tha qartë se Europa e pret Maqedoninë me gjuhën dhe identitetin e saj.
Kushti mbetet i njëjtë: reforma dhe bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik Evropian para anëtarësimit. Kjo nuk është çështje bilaterale. Është kusht evropian.
Mickoski thotë se nuk merret me “kockat e së kaluarës”, por me të ardhmen për fëmijët.
E ardhmja ndërtohet me institucione të pavarura, jo me drejtësi përmes telefonit. Ndërtohet me reforma që ai premtoi deri më 1 qershor, por nuk i përfundoi. Ndërtohet me buxhet që nuk mbushet me kredi të reja për të paguar ato të vjetrat, dhe me kufi që nuk lejon ngarkesa pa asnjë përgjegjësi.
Interesat shtetërore nuk mbrohen me izolim. Mbrohen me vend në Evropë ku vendoset dhe ku jeton më mirë. Kur vendi nuk përmendet në mesazhet për zgjerim, kjo nuk është mbrojtje. Është rezultat.
Qytetarët janë lodhur nga pritja. Janë lodhur edhe nga nxjerrja e kockave të së kaluarës. Nuk ka më arsye për të mbjellë urrejtje ndërkombëtare. E dimë që kjo shërben për të mbajtur notën tashmë plotësisht të fundosur të Mickoskit dhe rënien e lirë të pushtetit kriminal.
Nuk ka kohë për pritje. Nëse pritet dhe nxirren kocka, në Maqedoni më nuk do të ketë kush ta dëgjojë Mickoskin për kocka. Migrantët, punëtorët ekonomikë, ato 100.000 që planifikon t’i importojë dhe të zëvendësojë të rinjtë me ta, për kockat e së kaluarës nuk do të dinë asgjë.
Kockat e vetme që do të mbeten janë kockat në tryezë.
Mickoski le të përfundojë reformat dhe le të mundësojë anëtarësimin në BE. BE-ja është standard më i mirë që tani po shtyhet“, thonë nga LSDM.



