Një i vrarë në të shtënat pranë Parisit, po hetohet një sulm terrorist i mundshëm: „Gjuajti në mënyrë të rastësishme“

Një person ka vdekur, ndërsa katër janë plagosur në një të shtënë që ndodhi sot në periferi të gjerë të Parisit. Prokuroria Kombëtare Antiterroriste e Francës ka hapur një hetim për dyshimin e terrorizmit, njoftoi "Sky News".
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez deklaroi se sulmi ndodhi në tre vende në qytetet Trappes dhe La Verrière, në departamentin Yvelines, rreth 25 kilometra në jugperëndim të qendrës së Parisit.
Sipas fjalëve të tij, sulmuesi përdori "armë ushtarake ose të paktën armë automatike".
Nuñez e përshkroi sulmin si "një vepër penale terroristike e qartë" dhe konfirmoi se hetimin e ka marrë prokuroria antiterroriste. Sulmuesi është arrestuar.
Prokuroria po heton nëse sulmi ishte një akt terrorist dhe nëse kishte motive racore ose fetare.
Kryetari i bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, për televizionin BFMTV deklaroi se burri hapi zjarr në rrugën midis Trappes dhe La Verrière.
"Duket se gjuajti në mënyrë të rastësishme, me qëllim të shkaktojë një masakër", tha Rabeh, duke shtuar se është "një mrekulli e vërtetë" që nuk ka më viktima.
Ai tha se personi i vrarë është me prejardhje afrikane, ndërsa një nga të plagosurit është me prejardhje nga Afrika e Veriut. Ai gjithashtu konfirmoi se është qëlluar drejt një fushë loje për fëmijë.
Televizioni BFMTV raportoi se një vajzë 12-vjeçare u godit nga tetë plumba. Policia për momentin nuk ka dhënë zyrtarisht identitetet dhe moshën e viktimave.
Sipas informacioneve shtesë të AFP-së, vajza është rëndë e plagosur, por në gjendje stabile.
Presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X publikoi se është "thellësisht i tronditur" nga sulmi dhe tha se mendimet e tij janë me viktimat.
Sulmi ndodhi para protestave të reja të planifikuara për të shtunën për shkak të kostove të larta të jetesës dhe situatës në arsim.
Qeveria po vendos forca të sigurisë shumë të forcuara për të parandaluar përsëritjen e trazirave masive dhe dhunës së javës së kaluar.
Ministri Nuñez njoftoi se në terren do të vendosen rreth 70,000 anëtarë të forcave të sigurisë. Muzeumet e mëdha, përfshirë Luvrin, gjithashtu do të jenë të mbyllura.



