E martë, 20 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski: Janë blerë 100 automjete të reja ambulante, investojmë në sistemin shëndetësor

20.10.2026, 13:01

Kryeministri, Hristijan Mickoski, sot njoftoi se janë blerë 100 automjete të reja ambulante.

„Unë do të doja edhe një herë të shpreh dëshirën që këto automjete të përdoren sa më pak. Sigurisht, sa më pak të përdoren, aq më pak raste do të ketë që duhet të trajtohen me këto automjete. Por, aty ku është e nevojshme jam i bindur se me këto automjete do të arrihet më shpejt dhe do të ndërhyhet shumë më saktë duke pasur parasysh pajisjet që posedojnë këto automjete të reja, 100 në numër“, tha Mickoski.

Ai foli edhe për gjendjet në shëndetësi.

„Shumë gjëra janë neglizhuar, shumë gjëra janë shkatërruar, shumë gjëra janë vjedhur, por ajo që është detyrë e kësaj Qeverie është që atë që është shkatërruar, atë që është neglizhuar, atë që është vjedhur ta kompensojë. Ka ende shumë probleme për t’u zgjidhur, nuk është gjithçka e zgjidhur me këto 100 automjete, sigurisht ndoshta gjendja është pak a shumë e lehtësuar, por nuk është gjithçka e zgjidhur“, tha Mickoski.

Ai kujtoi se gjatë 27-28 muajve të fundit janë blerë 120 automjete të reja për Ministrinë e Punëve të Brendshme, rreth njëqind automjete për "Postën", 53 automjete në komunat për pastrim dhe njoftoi se shumë shpejt nga sot do të ketë edhe 150 autobusë elektrikë të rinj që do të shpërndahen në qytetet e Maqedonisë.

„Gjithçka kjo ndoshta në pamje të parë nuk duket diçka shumë e madhe dhe e rëndësishme, por besoni se momenti kur do t'ju duhet kjo që ne po bëjmë dhe sigurojmë sot do të jetë shumë i rëndësishëm kur t'ju duhet, sepse deri tani nuk ka pasur“, tha Mickoski.

Kryeministri njoftoi edhe investime në shëndetësi.

„Ka shumë për të investuar, nuk mund të zgjidhim gjithçka ndoshta në një mandat të vetëm qeveritar, por ajo që planifikojmë në periudhën që vjen, dhe që tashmë së bashku me partnerët tanë, institucionet financiare po e përfundojmë në pjesën e shëndetësisë në negociata, janë projektet që së bashku Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve do t’i financojnë, dhe kjo është përfundimisht Qendra Klinike, respektivisht spitali klinik në Shtip, Qendra Shëndetësore me shërbime të zgjeruara në Kërçovë dhe spitali klinik në Tetovë. Pres që sipas misionit të fundit të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve, të kemi miratimin formal diku në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm për financimin e këtyre projekteve. Dhe nëse gjithçka shkon si duhet, menjëherë pas kësaj të shpallet edhe tenderi, dhe nëse gjithçka shkon si duhet, pres që projekti i parë nga këto projekte të fillojë të realizohet diku në fund të tremujorit të dytë, fillim të tremujorit të tretë të vitit të ardhshëm“, tha Mickoski.

Lajme të ngjashme