E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministrja bullgare: Nuk vendosim kushte të reja, presim përmbushjen e detyrimeve nga viti 2022

08.10.2026, 16:58

Bullgaria mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por kushtet për përparimin e saj mbeten të pandryshuara që nga viti 2022. Këtë e deklaroi ministrja e jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova pas takimit bilateral me homologun e saj maqedonas, Timço Mucunski në Sofje, njoftoi agjencia bullgare e lajmeve, BGNES.

„Kemi zhvilluar një takim konstruktiv bilateral me ministrin Mucunski. Kjo u kërkua nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe unë e pranova. Bullgaria mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ku kushtet për të mbeten të pandryshuara që nga viti 2022. Presim që ndryshimet kushtetuese dhe të gjitha elementet e tjera të konsensusit të arritur të zbatohen“, theksoi Petrova.

Ajo njoftoi se ka kërkuar nga Mucunski që të prezantojë vizionin e Shkupit për kornizën kohore në të cilën do të përmbushen detyrimet.

„Nga ana e tyre, qëndrimi është se duhet të ndërtohet një ndjenjë besimi. Për mua, mënyra kryesore për ndërtimin e besimit është përmbushja e detyrimeve. Shpresoj të shohim hapa pozitivë në këtë drejtim“, tha ministrja e jashtme.

Petrova theksoi se vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, tregojnë vullnet politik për përparim në rrugën e tyre evropiane.

„Shpresoj që kjo të ndodhë edhe me Maqedoninë e Veriut“, shtoi ajo.

Ministrja shtoi se Sofja nuk vendos kushte shtesë për Shkupin.

„Nuk kemi pritshmëri të tjera përveç atyre të regjistruara në vitin 2022 dhe presim që ato të përmbushen. Garancia më e mirë është përmbushja“, theksoi Petrova.

„Asnjë vend anëtar nuk mund t’i japë garanci një vendi kandidat për vazhdimin e procesit. Ajo që mund të japë është gatishmëria politike për t’u përmbajtur ndaj detyrimeve të marra. Bullgaria ka treguar këtë gatishmëri“, tha ajo.

Gjatë takimit, Petrova ngriti edhe çështjen e trajtimit të Iva Mihajllovës, shton BGNES.

„Për ne, ishte një lajm pozitiv që Maqedonia e Veriut ishte e gatshme të pranojë mjekët tanë. Është e rëndësishme që kjo të çojë në trajtimin më të shpejtë të mundshëm. Ky është një rast humanitar që duhet ta shohim pikërisht nga kjo prizëm“, theksoi ajo.

Ajo sqaroi se për momentin nuk ka afate konkrete dhe se po punohet me ekipet mjekësore për kryerjen e testeve të nevojshme.

„Gjërat kryesore për të gjithë ne janë që Iva të ketë qasje të shpejtë në trajtimin e duhur. Rezultati përfundimtar duhet të jetë vetëm një – ajo duhet të shërohet“, tha Petrova.

 

Lajme të ngjashme

MPB me detaje për rastin me sulmin e pretenduar ndaj të rinjve nga ana e policëve

MPB ka ngritur padi penale kundër tre personave për kryerjen e veprave penale "pengimi i personit zyrtar në kryerjen e veprës zyrtare" dhe "prodhimi dhe futja në qarkullim pa leje e drogërave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve" në lidhje me ngjarjen që ndodhi më 7 tetor, në të cilën policët dyshohet se…

18:28
Siljanovska-Davkova: E vërteta historike për hebrenjtë maqedonas duhet të ruhet

Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova sot pati një takim me Michael Berenbaum, profesor i shquar i studimeve hebraike dhe ekspert për Holokaustin, i cili në mars të këtij viti e shoqëroi gjatë vizitës në Kompleksin Memorial "Treblinka" në Poloni. Në takim morën pjesë Goran Sadikario, drejtor i Fondit të Holokaustit të…

18:01
Nesër mot me diell me temperatura deri në 20 gradë

Moti nesër do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë mesatare deri e fuqishme nga drejtimi veriperëndimor, e cila përgjatë Povaradarisë do të tejkalojë shpejtësinë prej 60 kilometrash në orë, njofton UHMK. Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 0 deri në 9, ndërsa ajo…

17:59