Nikolovski: Zhvillojmë korridoret 8 dhe 10, planifikojmë hekurudhë të shpejtë deri në 200 km/h dhe presim katër milionë pasagjerë ajrorë këtë vit

Të dy korridoret panevropiane 8 dhe 10 duhet t'i zhvillojmë për të siguruar përparim ekonomik për Maqedoninë, por gjithashtu për të siguruar stabilitet politik për shtetin në këto kohëra të ngjarjeve komplekse gjeopolitike. Prandaj politika strategjike e Qeverisë është zhvillimi i këtyre dy korridoreve, u shpreh zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolovski, në diskutimin panel me temë “Siguria dhe stabiliteti strategjik – BE dhe Maqedonia në realitetin e ri gjeopolitik”, në organizim të Fondacionit Konrad Adenauer.
„Rajonalisht, Maqedonia kufizohet me Bashkimin Evropian në jug dhe në lindje, rreth nesh janë vende kandidate për anëtarësim në BE, kështu që jemi të rrethuar nga Bashkimi Evropian dhe natyrisht është që duam të bashkëpunojmë. 76% e eksportit të Maqedonisë shkon drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, 46% e importit vjen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe natyrisht është që duam të shfrytëzojmë lidhjen. Maqedonia ka një pozicion gjeografik unik që nuk e ka asnjë shtet tjetër në rajonin e Evropës Juglindore dhe kjo është diçka që mund dhe duhet ta shfrytëzojmë. Prandaj politika strategjike e Qeverisë është zhvillimi i këtyre dy korridoreve“, u shpreh Nikolovski.
Duke folur për zhvillimin e korridoreve, ai theksoi investimet që realizohen në rrjetin rrugor dhe hekurudhor.
„Në korridorin 10 me mbështetjen e BE-së po punojmë në modernizimin e autostradës. Në kuadër të Planit për rritje, janë gati 5 ligje për Sistemet Inteligjente të Transportit, të cilat përveç Ministrisë së Transportit i përgatit edhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministria e Punëve të Brendshme, pas të cilave do të shkojmë me implementimin. Këtu është edhe rindërtimi dhe përmirësimi i korridorit hekurudhor ku duhet të marrim hekurudhë të shpejtë për pasagjerë nga 160 deri në 200 km/h dhe transport mallrash me 120 km/h.
Lidhur me korridorin 8, po punojmë si në autostradë ashtu edhe në hekurudhë. Në autostradë jemi më përpara, por ka ende shumë punë. Dje isha në vizitë në autostradën Ohër-Kërçovë, aty po përparojmë shumë mirë. Gjithashtu, po ndërtohet seksioni nga Bukojçani deri në Kërçovë, nga Bukojçani deri në Gostivar, nga Gostivari deri në Tetovë. Në anën lindore, kemi punuar me BE-në në pjesën nga Stracin deri në Kriva Pallankë dhe rrugën rrethore të Kriva Pallankës, dhe tani do të punojmë së bashku në segmentin nga Stracini deri në Kumanovë, pra deri në Romanovcë.
Dhe së bashku me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian po punojmë në modernizimin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë dhe pikës kufitare Deve Bair, që të mund të kemi një fluks më të madh. Këtu janë edhe të dy aeroportet që ndodhen pikërisht në korridoret. Këtë vit pres të kalojmë 4 milionë pasagjerë, diçka që ishte e paimagjinueshme deri para dy vjetësh. Unë kur u zgjodha, prisja që diku deri në vitin 2031-2032 të arrijmë në 4 milionë pasagjerë, ja që kemi fat që tashmë në vitin 2026 do të arrijmë në 4 milionë pasagjerë, që për një shtet me 1.800.000 banorë është me të vërtetë një numër i madh” – theksoi zëvendëskryeministri Nikolovski në fjalimin e tij në diskutimin panel.



