E premte, 16 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Plenkoviq: Dy shtete i kanë marrë Maqedonisë 21 vitet në rrugën drejt BE-së

16.10.2026, 11:25

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq deklaroi se dy shtete i kanë marrë Maqedonisë 21 vitet e afërsimit institucional drejt Bashkimit Evropian, duke e përmendur shembullin maqedonas ndërsa fliste për qëndrimin e Kroacisë ndaj integrimeve evropiane të Malit të Zi.

Para takimit të Këshillit Evropian në Bruksel, Plenkoviq theksoi se Kroacia ka një qasje konstruktive ndaj Malit të Zi, në dallim nga qëndrimi me të cilin, sipas tij, është përballur Maqedonia.

„Keni shembullin e Maqedonisë së Veriut, e cila në kohën e samitit në Zagreb në vitin 2000 ishte përpara Kroacisë në kuptim institucional. Ata ende nuk kanë hapur negociatat. Ekzistojnë dy shtete që, të themi kështu, nga viti 2005 deri në 2026 i kanë marrë 21 vitet e afërsimit institucional të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian“, deklaroi Plenkoviq.

„Kroacia nuk e mori atë qasje. Pavarësisht trashëgimisë së vështirë, ndaj Malit të Zi kemi pasur një qasje shumë konstruktive“, shtoi kryeministri kroat.

Plenkoviq theksoi se Zagrebi ka identifikuar tetë çështje të pazgjidhura që Podgorica duhet t’i përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të cilat lidhen me marrëdhëniet fqinjësore dhe vlerat evropiane.

Lajme të ngjashme