Qyteti i Shkupit po rindërton monumentin e vandalizuar për fëmijët refugjatë

Qyteti i Shkupit po rindërton monumentin e vandalizuar për fëmijët refugjatë nga Maqedonia Egje, si pjesë e aktiviteteve për rindërtimin e parkut „Gruaja Luftëtare“.
– Kemi rikthyer monumentin e vandalizuar për fëmijët refugjatë nga Maqedonia Egje, në nder të fatit të tyre, fëmijërisë së ndërprerë dhe dashurisë së pashuar ndaj atdheut. Disa plagë nuk shërohen kurrë. E tillë është edhe plaga për fëmijët refugjatë që humbën shtëpitë e tyre shumë herët. Ky monument që aktualisht po e rindërtojmë ishte objekt i vandalizmit në të kaluarën dhe për vite me radhë qëndroi pa pllaka dhe pa ndonjë shenjë, por tashmë kemi filluar aktivitete me të cilat monumentet në kryeqytet i rikthejmë në gjendjen e tyre origjinale, sepse bëhet fjalë për monumente që janë shenjë e së kaluarës, por edhe drejtim ku në të ardhmen duhet të ecim ne si komb, si popull dhe si banorë të qytetit të Shkupit, por edhe të jenë kujtesë për të rinjtë që duhet ta njohin historinë e tyre. Përveç këtij monumenti, edhe për monumentet e tjera ku ka anomalitete, në periudhën e ardhshme do të ndërmarrim aktivitete për t’i rivitalizuar plotësisht. Po rinovojmë hapësirën që ruan kujtesën tonë kolektive dhe i rikthejmë dinjitetin që meriton – deklaroi kryetari i komunës Orce Gjorgjievski.
Kryetari Gjorgjievski theksoi se janë në proces punimet ndërtimore për rindërtimin e plotë të parkut „Gruaja Luftëtare“.
– Në parkun „Gruaja Luftëtare“ pas shumë vitesh po bëhet një rivitalizim i plotë që përfshin rregullimin e shtigjeve, rregullimin e hapësirave, infrastrukturë të re që do të vendoset këtu, e cila lidhet me stolat e rinj, koshat për mbeturina dhe gjithçka tjetër që do të thotë se një nga qoshet më të bukura në qytetin e Shkupit do të marrë pamjen e tij moderne, ashtu siç e meritojnë qytetarët – theksoi Gjorgjievski.



