E mërkurë, 21 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski zbuloi për çfarë marrëveshjeje do të pranonte përfundimin e luftës

21.10.2026, 17:23

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi se do të konsideronte ngrirjen e vijave aktuale të frontit me qëllim arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë dhe që lufta shumëvjeçare të përfundojë në mënyrë diplomatike.

Gjatë një interviste të mërkurën në mëngjes në emisionin "Fox and Friends", Zelenski tha se është i gatshëm të ndalojë menjëherë luftime, edhe pse forcat ruse po përballen me vështirësi të konsiderueshme në fushën e betejës, transmeton "New York Post".

Kur u pyet nëse do të ndalonte të gjitha luftime "pikërisht tani", në një situatë ku Ukraina do të kontrollonte ende 75 për qind ose më shumë të territorit të saj, Zelenski u përgjigj pozitivisht.

"Po, në këtë moment duhet të ngrijmë konfliktin dhe mendoj se kjo është një mënyrë reale për të përfunduar këtë luftë. Ne e quajmë këtë armëpushim... presidenti Trump e quajti ngrirje dhe ndalim", tha Zelenski.

Ai shtoi se kjo është minimumi që Ukraina kërkon sot nga Rusia.

"Dhe pastaj, sigurisht, do t'i drejtohemi presidentit Trump dhe evropianëve dhe do të kërkojmë garanci sigurie", paralajmëroi Zelenski.

Zelenski theksoi se aspekti më i rëndësishëm i negociatave për marrëveshjen e paqes është sigurimi i garancive që agresioni dhe okupimi rus nuk do të përsëriten.

Kur moderatori i emisionit, Brian Kilmeade, e pyeti nëse do të ishte i gatshëm të heqë dorë nga rajoni i Donbasit për paqe, presidenti ukrainas u përgjigj se kjo "nuk është e drejtë".

"Ata nuk po fitojnë në fushën e betejës. Prandaj duan të ushtrojnë presion mbi ne dhe përdorin çdo lloj presioni për të na nxjerrë nga vendi ynë. Kjo nuk është e drejtë", tha Zelenski.

"Njerëzit janë të lodhur, sigurisht. Ne duam të përfundojmë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur", vazhdoi Zelenski, por theksoi se bashkëqytetarët e tij duan të qëndrojnë në vendin e tyre.

Lajme të ngjashme